
Partitë politike po vijojnë ende konsultimet e fundit për të “vulosur” ekipin me të cilin do garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke mos hequr dorë as kësaj radhe nga zakoni i vjetër për dorëzimin e emrave në KQZ në limitin e kohës.
Kryesocialisti Edi Rama, sikurse në ditët e fundit, do të diskutojë edhe paraditen e të mërkurës emrat që vijnë nga diaspora.
Këtë do ta bëjë me atë që njihet si Këshilli i Diasporës, një organizëm brenda në PS, udhëhequr nga drejtuesi politik për Diasporën, Taulant Balla.
Do të jetë ora 18:00 e të Mërkurës kur Rama dhe Kryesia Socialiste do të hartojnë listën finale për ta dorëzuar në KQZ para orës 24:00.
Të 12 drejtuesit politik do të dalin një e nga një për të lexuar emrat e skuadrave të tyre në garën e 11 Majit sipas formulës, drejtuesit politik, gratë dhe të rinjtë në listën e mbyllur, ndërsa të tjerët në listën e hapur në një garë të fortë mes veti.
Nga ana tjetër, edhe kampi blu po bën gati listën.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha do të mbledhë Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet të mërkurën në orën 17:00, ndërsa Këshilli Kombëtar në orën 19:00.