Këtë hënë nis seanca e parë plenare për këtë sesion parlamentar. Parlamenti do të mblidhet sot pasdite në orën 17:00 dhe dekreti i parë që do të votohet është ai i Presidentit për ndryshimet në qeveri.
Pra bëhet fjalë për dy ndryshime në kabinetin qeveritar që janë propozuar nga Kryeministri Edi Rama gjatë javës që lamë pas.
I pari është ai i Blendi Gonxhes që është emëruar si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke shkarkuar kështu nga posti Elva Margaritin si ministre Kulture; dhe emërimi i Adea Pirdenit si ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Kujtojmë se në seancat e fundit para mbylljes së sesionit parlamentar, salla e seancave plenare ka parë përpjekjet e opozitës për të penguar punimet me flakadanë, ndërsa nga ana tjetër mazhoranca që votonte ligje duke ngritur kartona pa zhvilluar debate.
Ndërkohë me nisjen e sesionit të ri, ende nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita, tashmë që edhe ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në "arrest shtëpie", por shpesh në medie përfaqësues të opozitës janë shprehur se do të vijojnë skenarin e mosbindjes civile.
A.M/ Liberale.al