
Kryetari i Partisë Demorkatike në fjalën e tij para demokratëve në çeljen e fushatës i ka bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama që mos ‘të prek’ votën e shqiptarëve.
Berisha gjatë fjalës së tij i kërkoi Kryeministrit të largohet me votë, pasi sipas tij i ka bërë shumë të këqija vendit dhe kombit. Kreu i demokratëve u shpreh se Rama po ikën me turp si e keqja më e madhe pas Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve.
“Kjo është rruga drejt fitores. Rruga duke trokitur në çdo mendje dhe në zemër, duke takuar çdo të njohur dhe të panjohur, të bindur se Shqipëria Madhështore nuk është një program për pushtetin e Sali Berishës. Është një projekt për çdo shqiptar, për çdo atdhetar, është nj projekt për çdo njeri që i thotë lirisë, liri dhe dinjitetit dinjitet. Çfarë kërkojmë ne? Po kërkojmë që Shqipërinë ta bëjmë të jetueshme. Po kërkojmë që Shqipëria të krenohet me prodhimet e saj. Po kërkojmë që të rinjtë e saj të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri dhe jo të ëndërrojnë të ikin nga Shqipëria. Ndaj dhe le të bëjmë këtë muaj, muajin e përpjekjes të jetës sonë. Muajin e vendimeve më të rëndësishme të jetës sonë. Muajin për t’u dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve fitoren.
Me 12 Maj të mblidhemi në këtë shesh të festojmë së bashku për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë që meritojmë. 11 Maji është dita e votës së lirë. Të dashur miq, sirenat e votës së lirë të shqiptarëve po bien në të gjithë Europën. Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua narkoshteti. Zotimi solemn se shqiptarët do votojnë të lirë. Dhe unë i them Edi Ramës, mos prek votën se në mënyrë absolute mbi tokë vend nuk do kesh. Jo! Largohu me votë se i ke bërë të këqija të mëdha këtij vendi dhe këtij kombi. Po ikën me turp si e keqja më e madh pas Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve. Ndaj dhe i përshëndes të gjithë ata socialistë që kanë vendosur të bashkohen me ne. I përshëndes të gjithë shqiptarët që së bashku Shqipërinë e dhimbjes, ta shndërrojmë në Shqipëri normale, Shqipërinë e qetë, Shqipërinë e gëzimit. Shqipërinë e dhunës dhe terrorit politik në Shqipërinë e lirive politike. Shqipërinë e zhgënjimit dhe dëshpërimit në Shqipërinë e shpresës dhe besimit”, shprehet Sali Berisha.