Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga pedonalja buzë Bunës në Shkodër.
Në hyrje të qytetit të Shkodrës, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës, po punohet po ashtu edhe për molin e ri me një platformë lundruese, e përshtatshme për lidhjen e varkave.
Ndërtimi i tre moleve në Shkodër si dhe ndërlidhja kufitare me lundrim dhe rrugë me fshatrat në breg të liqenit në Malin e Zi do t’i hapë një perspektivë krejt tjetër turizmit në këtë zonë.
Investimet në bashkinë Shkodër përfshijnë rrugën Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi, rreth 6 km e gjatë.
Po ashtu, do të investohet në lidhjen Shëngjin-Ulqin, bajpasin e Shëngjinit, urën e Bunës dhe rrugën Pulaj.
Në Shkodër do të investohet për sheshin e Shirokës, Muzeun e Liqenit dhe pikat panoramike, molet Almonit, hyrjen e Shkodrës, Muzeun e Navigimit dhe Kalanë e Rozafës.
Në zonën e Alpeve investimet përfshijnë rrugën Qafë Thore-Theth, rikualifikimin e Thethit, rrugën Theth-Nderlysaj, si dhe aksin Nderlysaj-Lotaj-Lekbibaj-Prekal ose unaza e brendshme e Alpeve.
Ndërhyrje parashikohen edhe në rrugën Ura e Mesit-Kala e Drishtit, për ndriçimin e rrugës Ura e Mesit-Kala e Drishtit si dhe për rivitalizimin e Kalasë së Drishtit.
Nga ana tjetër, rruga e Dukagjinit, një nga segmentet më të vështira infrastrukturore në bashkinë Shkodër po merr formë çdo ditë e më tepër.