Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të numërojë vetë dy kuti me fletë votimi, nga qarku i Durrësit dhe ai i Elbasanit, pasi komisionet zonale përkatëse kishin refuzuar t’i numëronin për shkak të parregullsive.
Në rastin e Durrësit, kutia i përket zonës së Manzës. Komisioni i zonës kishte vërejtur se kjo kuti kishte vetëm 2 vula sigurie, në vend të 4 që kërkon rregullorja. Ndaj vendosën të mos e numërojnë.
Ndërsa në Elbasan, kutia nga një qendër votimi në Përrenjas kishte 24 fletë votimi më shumë se numri i votuesve që ishin regjistruar. Edhe kjo u cilësua si parregullsi dhe nuk u numërua.
Por KQZ ka vlerësuar se këto kuti, megjithë problemet, duhej të ishin numëruar, sepse ishin marrë në dorëzim nga komisionet zonale. Sipas KQZ-së, gabimet dhe parregullsitë duhej të ishin konstatuar më herët.
Tani që KQZ i ka marrë në dorë, rezultatet e këtyre dy qendrave votimi do të përfshihen në tabelën përfundimtare të rezultateve për zonat përkatëse.