
Kreu i KQZ Ilirian Celibashi dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi u kanë bërë apel zgjedhësve, partive politike, organizatave dhe palëve të tjera të angazhuara në procesin e zgjedhjeve të 11 majit që të kenë kujdes në respektimin e ligjit sa u përket administrimit dhe përpunimit të të dhënave personale në kuadër të veprimtarisë zgjedhore.
“Duke marrë parasysh rreziqet e mundshme që mund të sjellë përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale të zgjedhësve, inkurajojmë qytetarët dhe subjektet zgjedhore që, në rastet kur evidentojnë shkelje apo cenim të të dhënave personale, të ankohen pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,” theksohet në deklaratë.
Keqpërdorimi i të dhënave personale u evidentua më datë 11 Prill 2021, atëherë kur në kulmin e fushatës elektorale u shpërnda masivisht një dokument i emërtuar “Data-Tirana” ku ndodheshin të dhënat e 910061 qytetarëve.
Një bazë të dhënash që kishte dalë nga zyrat elektorale të partisë socialiste. Materiali kishte 20 rubrika ku përfshiheshin preferencat politike, censusi i votimit në zgjedhjet e 2013-ës, informacion për votën dhe komente të ndryshme nëse ishin të punësuar në institucione shtetërore apo ishin favorizuar për aplikime të ndryshme. Një strukturë e quajtur “patronazhistët” ku u identifikuan plot 9127 aktivistë politikë të selisë rozë./Liberale.al