Politikë

Dorëheqja e tretë, në një ditë! Dorëzon mandatin edhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo

Shkruar nga Liberale

Dorëheqja e tretë, në një ditë! Dorëzon mandatin

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, dorëzoi dorëheqjen në këshillin bashkiak për t’u bërë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.

Demo ndjek shembullin e kryebashkiakëve të Tepelenës dhe Matit, Termet Peçi dhe Agron Malaj, të cilët gjithashtu dhanë dorëheqjen për të kandiduar në qarqet përkatëse, Gjirokastër dhe Dibër.

Mësohet se kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj, nuk do të jetë pjesë e listave të PS-së për qarkun e Beratit, ndonëse ishte përfolur si një nga emrat e mundshëm që mund të linte drejtimin e bashkisë për një vend në parlament.

Pas dorëheqjeve, këshillat bashkiakë do të mblidhen për të caktuar drejtuesit e rinj në detyrë. Sipas ligjit për qeverisjen vendore, nëse një bashki ka më shumë se një nënkryetar, këshilli bashkiak do të votojë për të përcaktuar kryetarin në detyrë. Në rastin kur ka vetëm një nënkryetar, ai do të marrë automatikisht drejtimin e bashkisë deri në zgjedhjen e një pasuesi zyrtar.

Këto lëvizje vijnë pak para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, i cili skadon në mesnatën e 12 janarit. Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PS-së, ka shpjeguar strategjinë e përpilimit të listave, duke theksuar se pjesa e mbyllur e tyre do të dominohet nga të rinjtë dhe gratë, ndërsa deputetët me më shumë se një mandat do të garojnë në listë të hapur.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH