Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti thotë se do të dëshironte të garonte në listë të hapur.
Ai thekson se Partia Demokratike duhet të prodhojë listën më të mirë për të fituar zgjedhjet e 11 majit, dhe jo duke e parë në nivel individual.
Sa i përket primareve, Alimehmeti shtoi se ishte në udhëzim, që në fazën e dytë do të vlerësoheshin edhe elemente të tjera të kandidatëve, si kontributi, përfaqësimi dhe kjo do të bëhej nga Kryesia e PD-së.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së e vlerësoi deklaratën e Metës, se do të shkojë me listë të hapur në zgjedhjet e 11 majit, si një lëvizje fisnike.
Alimehmeti në një lidhje për Vizion Plus, moderuar nga Aleksandër Furxhi, deklaroi se nuk i trembet votës.
Në sferën publike vijojnë të ziejnë emrat dhe listat të supozuara që nuk përputhen gjithmonë me logjikën e primareve, a mund të na thoni diçka për këto komente?
Siç ishte në udhëzim, udhëzim i cili u miratua nga Këshilli Kombëtar para kandidimit të primareve, në fazën e dytë do të vlerësoheshin edhe elemente të tjera, si kontributi, përfaqësimi dhe kjo do të bëhej nga Kryesia e PD-së. Kryesia mblidhet nesër. Në parim, është Këshilli Kombëtar ai që përzgjedh listën që do të shkojë në KQZ. Kjo është procedura që ne i jemi nënshtruar.
Jeni një nga më të votuarit në primaret e PD-së, ju prisni të jeni në listë të hapur apo të mbyllur?
Unë do doja një listë të hapur, nuk i trembem votës. Do doja listë të hapur për të gjithë, por u vendos ndryshe në korrik. Të prodhojmë listën më të mirë për të fituar zgjedhjet e 11 majit, dhe jo duke e parë në nivel individual. Përbërja totale e listës, primarja është brenda PD-së, renditja bëhet nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar. Por do doja që përfundimi të ishte një listë që të jetë e hartuar me personat që kanë fuqinë më të madhe për të sjellë fitore në 11 maj.
A po përbëjnë problem qejfmbetjet para dorëzimit të listës? Kemi parë edhe tërheqje nga gara si nga PS edhe PD. Sot jemi 60 ditë para zgjedhjeve, a përbën problem?
Është krejtësisht normale. Objektivi i madh është 11 maji, nuk është se jam unë apo nuk jam unë.
Meta ka vendosur të garojë në listën e hapur, si e shihni lëvizjen e tij?
Këdo që thotë do të shkoj me listë të hapur, do marrë vota, do e shihja si një lëvizje fisnike. Pra, shkon atje, i nënshtrohet sovranit, pra popullit.