Ish-uzina e bakrit në Rubik do të shndërrohet në një fabrikë armësh, si pjesë e një prioriteti të ri të qeverisë socialiste për të investuar në industrinë ushtarake, theksoi kryeministri Edi Rama.
“Këtë kompleks e kemi identifikuar si një nga pikat ku do të investohet dhe do të prodhohet për Forcat tona të Armatosura, por në masën më të madhe për eksport. Kjo do të thotë një front i ri punësimi, sepse këtu do të kërkohen një seri specialitetesh, që nga puna e inxhinierëve dhe teknikëve punë e cila do të jetë e mirëpaguar. Së treti, shumë e rëndësishme, duke zhvilluar këtë industri, ne jo vetëm që rrisim kapacitetet tona mbrojtëse, por mbi të gjitha rrisim ekonominë tonë vendore dhe kombëtare,” deklaroi kryeministri Edi Rama.
Për Forcat e Armatosura, Rama premtoi gjithashtu rritje të përvitshme të pagave.
“Synojmë të rrisim pagat çdo vit. Kjo ka sjellë një rritje të interesit për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura. Kemi investuar në disa elementë bazikë, por filozofia jonë tani është: investojmë për të fituar dhe për të riinvestuar. Dronë inteligjentë fjala e fundit e shkencës janë risia më e madhe sot në sektorin e mbrojtjes. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është se këto qendra të industrisë ushtarake do të ndahen sipas kapaciteteve dhe profileve,” shtoi ai.
Kryeministri Rama bëri të ditur gjithashtu se po përgatitet hapja e Akademisë së Forcave Ajrore, ku do të nisë përgatitja e pilotëve shqiptarë.