Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi zbuloi strategjinë që demokratët dhe kreu i tyre Sali Berisha do të ndjekin, për të zhbërë, siç ata pretendojnë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Këlliçi më tej paralajmëroi çdo kandidat nga radhët e Partisë Demokratike që ka orientuar votën në skema të tilla që kanë dëmtuar kolegët brenda forcës së tyre politike, se do të japin llogari përpara ligjit.
“Nuk ka asgjë të rëndë në PD. Kur të faktohen. Në PD ndodhi një situatë krejt tjetër. Ka kandidatë të caktuar. E kam ndjekur unë zotin Kalaja në pretendimet e tij, edhe zotin Maliqi e kam parë. Janë të lirë. I kanë drejtuar një shkresë KQZ-së për të administruar pamjet filmike. Janë në të drejtën e tyre, do të monitorojnë pamjet filmike, do të shohin nëse ka pasur deformim të tillë apo jo. Nëse ka numërues, edhe të forcës sime politike, që kanë shkelur ligjin, le të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Kushdo që ka prekur një votë të një kandidati le të mbajë përgjegjësi para ligjit. Dhe të mësojnë të gjithë ata numërues që nuk luhet me mundin dhe djersën e asnjë kandidati. Nëse kjo ndodh do të jetë prapë një meritë e PD që ua jep mundësin kandidatëve të saj që ta çojnë të drejtën e vetë deri në fund, ndërsa në PS ka repart ushtarak që nuk pipëtin njeri para kryeministrit. Nëse ka ndonjë individ politik që ka orientuar komisionerët apo numëruesit për të bërë akte të tilla, të mbajë përgjegjësi edhe ai individi politik para ligjit, qofshin këta edhe deputet të PD apo titullarë të PD. Kush ka prekur një votë të një demokrati, apo kujtdo kandidati të mbajnë përgjegjësi jo morale, por politike dhe ligjore të gjithë ata që mund të kenë prekur votën e një kandidati”, tha Këlliçi.
Sipas Këlliçit do të kemi një skemë të ngjashme me atë të pas zgjedhjeve të vitit 2001, të cilat transformuan klimën politike në Shqipëri dhe PD sipas tij i faktoi se ishin plotësisht të vjedhura nga pushteti i kohës.
“Edhe më përpara, ën vitin 2001 do të shihni që pas një turi të ngjashëm pak a shumë të PD u arrit në qëndrimin e Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës se zgjedhjet e 2001 atëherë nuk reflektonin vullnetin e popullit shqiptar. Në atë periudhë u arrit në mënyrë të ngjashme të faktohej që kishte patur një deformim të zgjedhjeve dhe vjedhje në shkallë aq të gjerë sa u deformua vullneti i qytetarëve. Kjo pastaj çoi në një krejt tjetër klimë politike, zgjedhje me konsensus të Presidentit në 2002 dhe ardhjen në pushtet të PD në vitin 2005. Ngjashëm me këtë cikël, por ndryshe nga atëherë kësaj radhe ne kemi 4 rezoluta që i kanë rrëzuar zgjedhjet para se të bëheshin, të miratuara në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar nga PPE dhe IDC/CDI që është organizata më e madhe centriste dhe e partive të djathta në botë. Të katër këto rezoluta i damkosin zgjedhjet. Thonë se s’ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Këlliçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Më tej, deputeti i sapozgjedhur demokrat u shpreh me bindje se do të ketë zhvillime të rëndësishme deri në muajin shtator, kur edhe konstituohet Kuvendi i ri.
“Deri në shtator jam i bindur që do të ketë shumë ngjarje që do të ndodhin. E them me bindje. Do të kemi një cikël shumë të gjatë të denoncimeve nga PD për farsën elektorale të mbajtur nga shteti elektoral i Edi Ramës më 11 maj. Dhe deri në shtator do të kemi vendimmarrje të forumeve më të larta të PD në raport edhe me qasjen që do të duhet të kemi me Kuvendin dhe ato 50 mandate që PD i ka marrë me gjak në këto zgjedhje”, tha Këlliçi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.