Në rubrikën “Sy m’Sy” të datës së sotme, Kryeministri Edi Rama ka komentuar mbi sfidat dhe prioritetet që ka qeveria e tij për Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë shprehu durimin ndaj kritikave dhe sulmeve të ndryshme, duke krahasuar ato me “salamandra” dhe “insekte”, duke theksuar se urrejtja është një barrë e madhe për individët.
Rama theksoi se programi kryesor i qeverisë është integrimi në BE, duke shtuar se me anëtarësimin në BE, Shqipëria mund të presë një mbështetje prej 1 miliard euro në vit dhe se investimet në bujqësi do të rriten me 300 milionë euro të tjera pas integrimit në BE.
"Për sa kohë që nuk jemi aty brenda ka shumë rëndësi se kush qeveris këtu. Këtë raport që kemi vendosur unë dhe PS me Evropën nuk e kemi pasur kurrë, barazi e respekt. Unë e di bëhet kjo unë dhe si mbyllet ky proces, askush tjetër nuk e bën dot.
Prandaj duroj lloj-lloj salamandrash e lloj-lloj insektesh, sepse unë e di si integrohet Shqipëria në BE. Urrejtja është armiku i brendshëm më i madh i njeriut. Kush urren, e ka hallin e madh shumë për veten. Programi i programeve të qeverisë sonë është integrimi në BE. Investimet nga BE janë afër 700 mln euro në total, publike, private etj. Fondet që përfituam nga BE ishin 1 miliard euro nga 2014-2020.
Ndërsa, me futjen në BE, do përfitojmë 1 miliard në vit. Nëse në bujqësi investojmë 200 mln euro fillimisht, me futjen në BE, investohen dhe 300 mln euro të tjera."- u shpreh Rama.