20 vjet më parë kur nisi, moderimi ndoshta ishte fjalë ende e pafamiljarizuar në Shqipëri. Në vendin e duhur, u shfaq në kohën e duhur, në epokën ‘e shpërthimit’ të ekraneve shqiptare. Eni Vasili, moderatorja e Open News 24, feston 20 vjet në ekran si drejtuese e një prej emisioneve më të sukseshme politike në Shqipëri.
20 vjet ngjarje, 20 vjet politikë. Diskutime, oratori, vërtetësi dhe po kaq vite “Open”. Debat, përplasje mendimesh, idesh, pikëpamjesh, në dy dekada emisioni i Eni Vasilit është shndërruar në një arenë publike, ndër më të ndjekurit në Shqipëri.
Emisioni ka kaluar gjithashtu 20 vjet në tehun e gjykimit masiv, ku çdo fjalë dhe vendim kanë pasur peshën e tyre në sytë e publikut.
Prurje dhe largime, emocione dhe lëndime, kuptime dhe moskuptime në 20 vjet “Open” i ka përcjellë të gjitha.
Nga ngjarjet e ditës rreth aktualitetit dhe politikës, gjithçka nga vendi, rajoni dhe globi, Eni Vasili në 20 vjet u ka bërë ballë të papriturave, sfidave duke ia dalë ta fitojë betejën në një garë që për nga konkurueshmëria e lartë duhet thënë se nuk ka qenë e lehtë për tu fituar, për më tepër nga një gazetare dhe moderatore femër.
Eni Vasili është një nga gazetaret më të njohura dhe ndër femrat më të suksesshme të medias shqiptare.
Eni Vasili pas studimeve në Shqipëri është diplomuar për komunikim në Universitetin IULM në Itali. Ajo e filloi karrierën e saj në vitin 1997 në moshë shumë të re si gazetare në departamentin e lajmeve të RTSH. Nga viti 2005 deri në vitin 2011 ka drejtuar emisionin politik “Studio e Hapur” në “Alsat”, më vonë “Ekrani Shqiptar”.
Në vitin 2013 ajo iu bashkua ‘News 24’ me ‘Studio e Hapur’. Në shtator të vitit 2018, Eni Vasili u transferua në Top Channel, duke e riemërtuar emisionin e saj në Open news 24. Te News 24 ajo drejton aktualisht emisionin që nisi dy dekada në parë, si një nga talk show-t më të ndjekur politik.
Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoreshë e departamentit të lajmeve. Vasili është autore edhe i dy librave, “Unë kam vrarë” dhe “Zëra nga errësira”.
Gazetarja, me mbi çerek-shekulli në ekran, është familjarizuar me publikun si ndoshta askush tjetër. Eni Vasili ka depozituar pak kohë kandidaturën për drejtimin e RTSH-së.