Pas rreth dy muajsh nga vrasja brutale e Ilaria Sulës nga ish-i dashuri i saj në Terni të Italisë, prindërit e saj e kanë përkujtuar në ditën që ajo do të festonte 23-vjetorin e lindjes.
Në kujtim të vajzës së tyre, ata ngritën një memorial pikërisht në vendin ku trupi i Ilarias u hodh nga autori pas krimit të rëndë që ndodhi në banesën e tij. Në këtë vend, i kthyer tashmë në simbol të dhimbjes dhe kujtimit, u zhvillua një ceremoni përkujtimore me pjesëmarrjen e familjarëve, miqve dhe komunitetit vendas.
“Faleminderit të gjithëve, Komunës dhe kryetarit të Capranica Prenestina për zemrën e madhe dhe për gjithçka që është bërë për vajzën time Ilaria,” u shpreh babai i saj, Flamur Sula, gjatë ceremonisë.
Në një dedikim prekës të shpërndarë në rrjetet sociale, ai kujtoi vajzën me fjalë që prekën zemrat e të gjithëve:
“Ke qenë dhurata ime më e bukur. Gëzuar ditëlindjen, princesha ime! Më mungon shumë.”
Krahas mesazhit, ai ndau edhe foto nga momentet ku lëshonin tullumbace të bardha në qiell, në nderim të Ilarias.
Në inaugurimin e memorialit mori pjesë edhe kryetari i komunës, Francesco Colagrossi, i cili në një fjalim të ndjerë u shpreh:
“Morëm pjesë me emocion të madh në përurimin e këtij memoriali për Ilarian. Ai përfaqëson dashurinë e pafund të familjes së saj, të afërmve dhe komunitetit. Fotografia e saj, me buzëqeshje dhe jetë, na tregon fytyrën e një vajze të re me ëndrra e projekte që u ndërprenë në mënyrë brutale nga një dhunë e pakuptimtë dhe absurde.”
Ai shtoi se ky vend do të mbetet një simbol i përhershëm kujtimi për Ilarian, por edhe një thirrje për ndërgjegjësim mbi rrezikun e një dashurie të sëmurë e shkatërruese.