
Policia e Fierit ka reaguar duke mohuar akuzat se ka tentuar të fshehë ngjarjen e rëndë, ku një 43-vjeçar nga Lushnja me aftësi të kufizuara, u dhunua brutalisht nga dy të rinj.
Policia thekson se ka kryer të gjitha veprimet procedurale hetimore dhe ka ndjekur në kohë ngjarjen, teksa mohon se ka tentuar të favorizojë autorët apo të fshehë ndonjë lajm.
Në reagim, thuhet se janë kryer të gjitha procedurat konform ligjit dhe e ka bërë ngjarjen publike në njoftimin e dhënë për shtyp.
Siç bëjnë me dije blutë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, shërbimet e policisë kanë reaguar duke bërë arrestimin në flagrancë të autorëve të dyshuar.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 20.03.2025, në qytetin e Lushnjës ku një 43-vjeçar është goditur me gur nga 2 shtetas, dhe pretendohet se policia ka fshehur ngjarjen, ju bëjmë me dije se:
Policia e Lushnjës në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Fier, ka kryer të gjitha veprimet procedurale hetimore, ka reaguar dhe ndjekur në kohë ngjarjen dhe në asnjë moment nuk ka tentuar të favorizojë autorët apo të fshehë lajmin, por ka kryer të gjitha procedurat konform ligjit dhe e ka bërë ngjarjen publike në njoftimin e dhënë për shtyp dhe konkretisht:
Me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur, shërbimet e Policisë menjëherë kanë reaguar duke bërë arrestimin në flagrancë të autorëve të dyshuar, shtetasve I. N., 20 vjeç dhe E. K., 23 vjeç.
Pas veprimeve të kryera, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dhënë njoftimin për shtyp më datë 21.03.2025 në përmbledhjen ditore, konkretisht, njoftimi për këtë lajm është dhënë si më poshtë: "Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasit I. N., 20 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dy banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me gurë, një 43-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve.