Një gjykatë ICSID (Arbitrazhi Nd%rkombëtar) ka refuzuar të dëgjojë veçmas kundërshtimet paraprake të Shqipërisë ndaj një pretendimi të paraqitur nga një kompani gjermane e anijeve, duke zbatuar testin e trefishtë që përmban versioni 2022 i rregullave të ICSID.
40 milionë euro është fatura financiare e dëmshpërblimit e kërkuar në Arbitrazh për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues nga kompania gjermane EMS APO që përpunon anijet e mallrave rifuxho në Durrës. Drejtuesit e kompanisë gjermane pohuan se institucionet shqiptare kanë penguar qëllimisht aktivitetin e tyre që në vitin 2020, kur nisën trajtimin preferencial për operatorin privat në Porto Romano, për të vijuar më pas zënien e hapësirës së portit të Durrësit për projektin e Marinës.
Ndërsa nga autoritet shqiptare sipas EMS nuk ka asnjë komunikim se nëse do të transferohet aktiviteti i tyre në projektin e portit të ri tregtar.
Kontratat koncensionare që kanë si qëllim të lehtësojnë shërbimet dhe luftojnë informalitetin rrezikojnë të kthehen sërish në bumerang për buxhetin.
Në një intervistë të dhënë më herët për “Monitor” Ceo i EMS-Fehn-Group, z. Manfred Mueller, shpjegon situatën aktuale, sepse ka rënë volumi i përpunimit të mallrave në terminalin lindor, si lindën problemet që në vitin 2020, kur qeveria miratoi zgjerimin e kontratën për përpunimin e mallrave të operatorit MBM në Porto Romano dhe deri te miratimi në 2022 nga Kuvendi i Shqipërisë i marrëveshjes për zhvillimin e projektit e “Durrës Yahts Marina” në portin e Durrësit.
Për të gjitha problematikat e ngritura nga drejtuesit e kontratës koncesionare dhe deri tek arsyet e dërgimit të kontratës në Arbitrazh “Monitor” iu drejtua me kërkesë zyrtare për informacion si Autoritetit Portual Durrës edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Autoriteti Portual Durrës tha se Projekti i marinës nuk e cenon kontratën koncesionare të kompanisë EMS APO dhe se ata kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me kompaninë.
Objekti i kontratës koncesionare është menaxhimi, operimi dhe mirëmbajtja e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit. Shteti shqiptar dhe EMS-Fehn-Group (d.m.th. EMS Shipping & Trading GmbH) kanë lidhur kontratën koncesionare në maj të vitit 2013.
Kontrata shtrihet për një periudhë 35-vjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2048. EMS-Fehn-Group themeloi Operatorin Portual Shqiptar EMS Shpk. (EMS APO) si njësi operacionale në Durrës. Kontrata i jep EMS-Fehn-Group/EMS APO të drejtën për të përpunuar ngarkesat rifuxho, ngarkesat e përgjithshme dhe ngarkesat projektesh në Terminalin Lindor.
Royal Haskoning është e njëjta kompani që tani është përgjegjëse për dizejnimin e projektit për portin publik ende të pandërtuar në Porto Romano. Në bazë të Masterplanit, qeveria shqiptare shpalli tenderin ndërkombëtar për operimin e Terminalit Lindor.
Operatori EMS APO ende vijon të operojë terminalin lindor të portit të Durrësit, por me kapacitet shumë të reduktuar. Sipas të dhënave të kompanisë për vitin 2022 në raport me 2021, volumi i ngarkesave të përpunimit të mallrave rifuxho ka rënë 70%.
Manfred Mueller pohon se rënia e volumit të punës është nxitur nga trajtimi preferencial i autoriteteve shqiptare për një operator portual në Porto Romano, si dhe nga pasiguritë në lidhje me të ardhmen e EMS APO për shkak të njoftimit se Porti i Durrësit do të shndërrohet së shpejti në një port argëtimi.
Pas miratimit nga parlamenti në kulmin e karantinës të 2020-s për ndryshimin e kontratës të Porti MBM (Multi Buoy Mooring) në administrimin e “Kastrati Group” që realizon shërbimet e përpunimit të ngarkesave dhe depozitimit të naftës në Porto Romano, në gusht të vitit 2021 qeveria nëpërmjet një vendimi lejoi zgjerimin e portit ekzistues në Porto Romano, duke i hapur rrugë projektit të grupit Emaar në Durrës.
Zgjerimi mundëson ndërtimin e disa kalatave të tjera që do të shërbejnë për përpunimin e anijeve të mallrave, krahas atij të karburanteve që kryhet aktualisht. Ndërkohë u kryen edhe investime në rrugën që lidh Porto -Romanon me Durrësin me një autostradë të kategorisë A me fondet e qeverisë shqiptare.
Projekti i Durrës Yacht & Marina që përkon me zhvillimin e një porti jahtesh, ngritjen e 13 mijë apartamenteve dhe hoteleve do të zhvillohet në truallin e portit aktual të Durrësit, ka vënë në pikëpyetje vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të shumë operatorëve që përpunojnë mallrat në këtë port, por edhe të qindra qytetarëve durrsake të cilët janë të punësuar në këtë port. Operatorët kanë pohuar për Monitor se ende nuk ka një komunikim nga institucionet shtetërore se si do vijojnë aktivitetin pas nisjes së punimeve.
Ky shqetësim ngrihet edhe nga koncesionari EMS EPO, të cilët nënvizojnë se qeveria shqiptare njoftoi transformimin e Portit të Durrësit në një port argëtimi pa u dhënë informacion të saktë dhe një grafik të qartë për ndërtimin e portit të ri publik në Porto Romano, si një vend alternativ për aktivitetin e Fehn-Group/EMS APO.
Zbatimi i projektit të ri përfshin zënien e 90% të truallit mbi të cilin operon kompania koncesionare. Mueller thotë se marrëveshja për “Durrës Yachts Marina” bie në kundërshtim pasi ka mbivendosje me kontratën koncesionare të EMS-Fehn-Group.
Projekti për zhvillimin e Durrës Yahts Marina u prezantua në 2021 dhe 1 vit më pas marrëveshja u miratua edhe Parlamenti. Projekti Durrës Yacht & Marina mori statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkë-aksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore. Si investitore kompania ka përfituar lehtësi të shumta si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës në ndërtim (4% e vlerës së shitjes dhe taksa e strehimit prej 3%).
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma.
Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Por miratimi i projektit për shndërrimin e portit të Durrësit, pa nisur punimet për zëvendësimin e një porti tregtar shtoi shqetësimet e operatorëve për vijimin e aktivitetit të tyre ekonomik.
Për më tepër edhe prezantimi i projektit të portit të ri tregtar në Porto Romano me vlerë financimi prej 390 mln euro në dhjetor të 2022-t nga autoritetet shqiptare shtoi pasiguritë për vijimin e punës së kontratës koncesionare në terminalin lindor.
Nga prezantimi në publik që iu bë projektit të hartuar nga kompania holandeze “Royal Haskoning” rezulton se nuk përfshihet një terminal për përpunimin e ngarkesave rifuxho, duke çuar në përfundimin nga drejtuesit e kontratës koncensionare se zhvendosja e EMS-Fehn-Group/EMS APO në portin e ri publik nuk është parashikuar.