
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë nën hetim policët e burgjeve që transferuan kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga Durrësi në apelin e GJKKO, pasi rezulton se Veliaj ka përdorur telefonin e njërit prej policëve për të bërë telefonata.
Mësohet se gjatë marrjeve në pyetje, oficeri i burgjeve ka pranuar një gjë të tillë dhe ka deklaruar se e kishte bërë nga frika.
Ndërkohë së fundmi, burime për mediat bëjnë me dije se hetuesit e BKH-së dyshohet se i kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së paraburgimit të Durrësit dhe regjistrat e institucionit ku shënohen takimet me të paraburgosurit.
Mësohet se SPAK do të analizojë hyrje-daljet në paraburgimin e Durrësit dhe hetuesit do të identifikojnë dhe do të marrin në pyetje të gjithë personat që e kanë takuar. Burime për mediat bëjnë me dije po ashtu se SPAK do të verifikojë edhe nëse Erion Veliaj ka përfituar trajtim të favorshëm në krahasim me të paraburgosurit e tjerë, duke iu lejuar më shumë takime me familjarët apo persona të tjerë. Pas një hetimi 1 vjeçar të SPAK, mbi Erion Veliajn janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.