Tensione dhe përplasje janë shënuar këtë të martë në ambientet e KZAZ nr. 40 në Tiranë, ku përfaqësuesit e Partisë “Mundësia”, kanë denoncuar parregullsi të rënda gjatë procesit të numërimit të votave.
Sipas tyre, shumë nga votat që u takonin atyre janë shpallur të pavlefshme në mënyrë të padrejtë, me pretendimin se vulat në fletët e votimit janë “të zbehta”. Ata theksojnë se këto vula janë të dyfishta dhe të vendosura nga vetë komisioni, ndaj nuk duhet të bëhen shkaktarë për anulim.
Shehaj u shpreh se kurrësesi nuk do të tolerohet vjedhja e votave dhe paralajmëroi se largimi i tyre nga ambientet e numërimit do të mund të ndodhte vetëm me forcë.
“Na vidhen votat përpara syve. Jemi vëzhgues dhe kërkojmë vetëm të drejtën tonë ligjore. Nëse vërtet duan të na nxjerrin, le të na tërheqin zvarrë. Nuk kërkojmë privilegje, thjesht drejtësi. Jemi kandidatë dhe kemi të drejtë të sinjalizojmë çdo padrejtësi,” u shpreh ai para mediave dhe autoriteteve zgjedhore.
Situata u tensionua më tej kur Agron Shehaj akuzoi policinë për përpjekje për të nxjerrë jashtë vëzhguesit e autorizuar të kësaj force politike. Shehaj i cilësoi këto veprime si të paligjshme dhe kërkoi që të bëhej publik urdhri për largimin e tyre.
Sipas njoftimit të Partisë Mundësia, 6 fletë të votimit po tentohen të shpallen të pavlefshme pasi kanë ngjyrë të zbehtë. Ata thonë se është njoftuar Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, si dhe Shehaj po niset drejt KZAZ.