Operacioni “Plazhi i lirë” vijon me intensitet në bregdetin e Vlorës, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve që zhvillohen pranë vijës bregdetare.
Më 19 korrik 2025, gjatë kontrolleve në zonën e plazhit në Radhimë, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Policinë Bashkiake, konstatoi një rast të zënies së paligjshme të territorit publik dhe ndërtimit pa leje.
Në një hapësirë publike ishte ngritur pa leje një strukturë e tipit “beach bar” dhe ishin vendosur çadra e shezlongë për shfrytëzim komercial, pa dokumentacionin përkatës ligjor.
Si pjesë e veprimeve ligjore, u sekuestruan 90 çadra dhe shezlongë që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin. Objekti i ngritur pa leje u bllokua dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjithë zonën bregdetare të qarkut Vlorë, me qëllim mbrojtjen e hapësirave publike, rritjen e sigurisë dhe ndëshkimin e çdo abuzimi me pronën publike.