Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ka zbuluar një aktivitet të paligjshëm në shtratin e lumit Mat, ku një subjekt po merrte inerte pa leje, duke dëmtuar mjedisin dhe vepruar pa dokumentacion të rregullt.
Gjatë kontrolleve në terren, u konstatuan katër mjete të rënda një eskavator dhe tre kamionë të cilat po përdoreshin për këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Të gjitha mjetet janë sekuestruar nga autoritetet.
Administratori i subjektit, shtetasi S. P., 39 vjeç, banues në Kamëz, është shpallur në kërkim nga policia. Ndërkohë, tre punonjës të kompanisë janë proceduar në gjendje të lirë. Ata janë: M. L., 36 vjeç dhe V. L., 47 vjeç (vëllezër) nga Puka, si dhe F. L., 50 vjeç nga Tale, Lezhë.
Materialet për këtë rast i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia thekson se do të vijojë kontrollet për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo veprimtari që cenon mjedisin dhe zhvillohet jashtë ligjit.