Nga Elbasani vjen historia frymëzuese e një vajze të re që ka zgjedhur të promovojë traditën shqiptare përmes artizanatit. Ajsi Preçi, artizane e apasionuar, krijon çanta unike me rruaza një trend që po rikthehet me stil dhe personalitet në modën bashkëkohore.
Puna e saj është një kombinim i durimit, përkushtimit dhe kreativitetit. Çdo çantë kërkon orë të tëra punë intensive dhe përkushtim të plotë.
“Lindi komplet në mënyrë spontane dhe derisa ja kam arrit, kam nejt edhe netë të tëra pa gjumë. Çanta formë zemre, për shembull, ka një vështirësi të madhe, por kur e bën me pasion, gjithçka arrihet.”-thotë Ajsi Preçi artizane
Edhe pse kërkesat për produktet artizanale janë të ulëta, Ajsi nuk dorëzohet. Ajo beson se çantat e saj, me dizajn unik dhe punim të hollë, mund të rivalizojnë denjësisht markat ndërkombëtare.
“Për këtë çantën e madhe më duhet një ditë e gjysmë nëse i përkushtohem vetëm asaj. Por në treg nuk vlerësohet aq sa duhet. Edhe kur i ul çmimet, njerëzit janë më të predispozuar të blejnë.”-vijon Ajsi.
Përveç çantave, Ajsi krijon edhe buqeta me trëndafila nga copë sateni – një alternativë elegante dhe jetëgjatë për dhuratat tradicionale.
“Trëndafilat prej sateni nuk kanë nevojë për kujdes si ato natyralët, por mund të ruhen për gjithë jetën.”-shton ajo më tej.
Puna e Ajsit është një dëshmi e gjallë se tradita dhe artizanati shqiptar jo vetëm që nuk janë harruar, por po marrin jetë të re nga brezi i ri, duke konkurruar në mënyrë të denjë në tregun.