Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas njoftimit të SPAK për mbylljen e hetimeve ndaj tij. Në një deklaratë publike, Meta shprehet se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga SPAK për t’u paraqitur, përveç një komunikimi verbal nga një gardian i burgut “Jordian Misja”, ku ndodhet aktualisht.
“Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian më tha verbalisht se më kërkonin në SPAK në orën 09:50, pa dhënë asnjë sqarim,” – tha Meta.
Ai shton se avokati i tij, Kujtim Cakrani, ndodhej jashtë vendit dhe për këtë arsye nuk ishte i pranishëm në kohën e kërkuar. Meta thekson se për shkak të mungesës së avokatit, paraqitja në SPAK nuk ishte e mundur nga pikëpamja procedurale, por do të ndodhë sapo avokati të jetë i disponueshëm.
Meta ka ritheksuar qëndrimin e tij se çështja ndaj tij është politike dhe e motivuar nga mazhoranca. “Mezi pres përballjen dhe gjykimin, pas 6 vitesh hetimesh që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste,” – u shpreh ai.
Në fund të reagimit të tij, Ilir Meta deklaron se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë apo fakt penal:
“Zero fakte penale! Zero prova penale! Zero vendime të paligjshme! Zero dëm për buxhetin! Zero pasuri të paligjshme!”