Në Gramsh 17 fëmijë janë infektuar me salmonelë, nga analizat e kryera ndaj 72 fëmijëve në kopshtin e qytetit.
Në “Shqipëria Live” ka folur një prej prindërve, i cili tha se vajzat e tij fatmirësisht nuk janë infektuar por shprehu shqetësimin për fëmijët e tjerë. Ai tha se kjo situatë është tentuar të fshihet dhe se institucionet kanë reaguar vetëm pasi rasti u publikua në media.
Por në këtë bisedë ka ndërhyrë dhe kryebashkiaku i Gramshit, Besion Ajazi, i cili u përball live me qytetarin.
“Fatmirësisht vajzat e mija nuk janë infektuar. Fëmijët po kurohen në shtëpi sepse është sëmundje ngjitëse dhe ka rrezik përhapjeje. Fëmijët janë infektuar nga supa e pulës që kanë ngrënë në kopsht. Kanë shfaqur shenjat e para dhe sot që është e hënë vijon mjekimi. Ne jemi të shqetësuar si prindër. U mbajt sekret në fillim. Rasti u zbulua të enjte ndërsa reagimet e institucioneve erdhën të shtunë. Vetëm pasi u bë virale në media si ngjarje. ISHP ka ardhur të shtunën për të marrë provëzat.”– tha Erald Çarçiu.
“Nuk është rast i lehtë e as që dikush do donte t’i ndodhte. Unë nuk kam informacion për shqetësimi ne prindërve por kam informacion për rastin, që unë jam informuar ditën e premte. Kam marrë informacion që dy fëmijë janë shtruar në spital me bark, të vjella dhe temperaturë. Aty ngritëm alertin për të parë nga afër rastin. Më pas ndërhynë institucionet shëndetësore.
Nuk po e kthejnë prindërit politike por kam thënë që meraku im kryesor është shëndeti i fëmijëve. Çdo gjë tjetër që kalon këtë, është tentativë politike. Kjo ngjarje po përdoret vetëm nga një prind që është i zellshëm të përmendë emrin. Unë mbaj përgjegjësi për veten time dhe detyrën që kam. Ne kemi qëndruar pas institucioneve që janë kompetente për këto raste. Ky rast kërkon qetësi. Patjetër situata nuk është normale por nuk duhet bërë panik. T’i lëmë institucionet të bëjnë punën e tyre. Edhe prokuroria ka nisur një proces penal. Procedurën e prokurimit për furnizimin me ushqim të kopshtit e bën bashkia sigurisht. Nuk ka asnjë rast të ushqimeve që futet në kopsht pa analizën mjekësore.”– tha kryebashkiaku Besion Ajazi.
“Fëmijët kanë shkuar që të martë në spital me diarre dhe të vjella. Pse reaguat të shtunën? Pse e latë situatën të agravojë?”- tha Erald Çarçiu.
“Policia nuk shkon kur ka bark e të vjella në spital. Shkon kur ka plagosje, vrasje, rrahje etj. Nëse fëmija ka shkuar në spital të martën apo të hënën, nuk është spitali kompetent që të të thotë ke salmonelë apo diçka tjetër. Edhe analizat duan kohën e tyre, duan 72 orë për të dalë rezultati i analizave. Institucionet kanë bërë punën e tyre duke marrë kohën e nevojshme.”– tha kryebashkiaku Ajazi.
“Nëse ka qenë vetëm një rast, pse u lejua që të agravojë?”- tha Çarçiu.
“Nuk jam këtu për t’i kthyer përgjigje çdo pyetje… Kush e tha qe shkaku i infektimit të fëmijëve është ushqimi? Ka disa institucione që po merren dhe po hetojnë për shkakun. Mund të jetë ushqimi por nuk e kemi të konfirmuar zyrtarisht”– u përgjigj kryebashkiaku.
“Shqetësimi i parë ka nisur pasi fëmijë ka konsumuar atë supën me pulë. Është informacion i sigurt. Prandaj kemi shqetësimin sepse ne do i dërgojmë sërish fëmijët në këtë kopsht.”- tha Çarçiu.