Ceremonia e akordimit të titullit “Doctor Honoris Causa” për ish-presidentin Alfred Moisiu, mblodhi në Universitetin Europian të Tiranës figura të njohura të politikës, bashkëpunëtorë të hershëm personalitete të fushave të ndryshme, të akademisë, ushtrisë, letrave etj.
Përveç kryetares aktuale të Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, e cila mbajti një fjalim mbi atë se si ajo e ka parë Moisiun ndër vite, i pranishëm ishte edhe ish-kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Në ceremoni mori pjesë edhe ish-kryeministri i Shqipërisë në Qeverinë Teknike (1991-1992) dhe ministër në Qeverinë e Stabilitetit (1991), Vilson Ahmeti, i shoqëruar nga zonja e tij.
Nuk munguan eksponentë të tjerë të politikës, si ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, ish-zv-ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ish-ministri i Financave dhe më vonë i Ekonomisë, Arben Malaj.
Moisiu u nderua nga UET me “Doctor Honoris Causa “për rolin e tij të pazëvendësueshëm si faktor uniteti kombëtar, për lidershipin e urtë e të paanshëm në kohë krizash, si dhe për vizionin në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e lidhjeve ndërkombëtare, përkushtimin ndaj paqes, stabilitetit dhe reformave që integruan Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.”