Kronikë

Asfalt për vota? Prokuroria ndalon 4 zyrtarë në Belsh

Shkruar nga Liberale.al

Asfalt për vota? Prokuroria ndalon 4 zyrtarë në Belsh

Në prag të zgjedhjeve vendore të 11 majit 2025, Prokuroria e Elbasanit ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj katër punonjësve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Belsh, të cilët dyshohet se kanë lejuar shtrimin e paligjshëm të rrugëve në qytet, në funksion të fushatës elektorale.

Hetimet filluan pas publikimit të një videoje në rrjetin social Facebook, ku shfaqej një kamion me mbishkrimin “V.H.” dhe një mjet që shtronte asfalt, ndërsa kandidati D.C. i një koalicioni zgjedhor shprehte shqetësimin për shtimin e asfaltit një javë para zgjedhjeve.

Nga hetimet e kryera, rezultoi se punonjës të IMT-së kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar subjektin “V.H.” shpk të kryente punime ndërtimi pa projekt dhe pa miratimin e nevojshëm, duke shkelur ligjin për ndërtimin dhe rregullat e planifikimit urban. Po ashtu, dyshohet se këto veprime janë realizuar për të përfituar në fushatën elektorale, duke ndikuar në perceptimin e qytetarëve para ditës së votimit.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar ndalimin e katër shtetasve: F.M., L.H., Dh.K. dhe B.H., të cilët janë akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit”. Dy prej tyre janë ndaluar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur ne kërkim.

Ky rast vjen pas një serie hetimesh të ngjashme në nivel kombëtar, ku janë regjistruar 31 kallëzime penale dhe 18 procedime për shkelje të ligjit zgjedhor, duke përfshirë shpërdorimin e burimeve publike dhe ndikimin në procesin zgjedhor.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH