Mes të burgosurve nesër më 11 maj kanë të drejtën e votës edhe politikanët e rangut të lartë të cilët janë arrestuar nën dyshime për korrupsion apo për lidhje me afera korruptive, edhe pse nuk ka ende një vendim gjykatë të formës së prerë. Ish-presidenti, Ilir Meta, aktualisht drejtues i Partisë së Lirisë do të votojë nga burgu. Meta është po ashtu edhe kandidat për deputet në Tiranë. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i arrestuar tre muaj para zgjedhjeve do të votojë në qarkun e Durrësit. Ndërkohë, në qeli gati për të votuar janë edhe ish-ministra dhe ish-deputetë.
3.027 të burgosur dhe të paraburgosur kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Votimet do të kryhen në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale duke respektuar të gjitha rregullat e përcaktuar nga KQZ për proceset zgjedhore.
Në çdo burg është ngritur një qendër votimi, e cila do të administrohet nga komisionerë të jashtëm, jo staf i burgut, të cilët, në 11 maj do të marrin autorizim të posaçëm për të hyjnë brenda hekurave vetëm për këtë mision.
Pavarësisht se ku kanë jetuar apo ku e kanë familjen, ata që vuajnë dënimet do të votojnë për kandidatët e qarkut ku ndodhet burgu.
Ndërsa 1357 të burgosur në vendin tonë janë të përjashtuar nga e drejta kushtetuese për të votuar pasi janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Ky ligj përcakton se individët e dënuar për një sërë veprash të rënda penale nuk mund të ushtrojnë disa të drejta civile dhe politike, përfshirë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, për një periudhë të caktuar kohe, ose në disa raste përgjithmonë, në varësi të natyrës së dënimit.
Disa nga veprat penale që përjashtojnë të dënuarit nga e drejta e votës janë:
Krimet kundër jetës (si vrasja)
Krimet seksuale
Krimet ndaj fëmijëve
Korrupsioni i rëndë
Trafikimi i qenieve njerëzore
Trafikimi i narkotikëve
Pjesëmarrja në organizata kriminale
Në gatishmëri ditën e votimit për të shoqëruar të burgosurit që votojnë do të jenë stafi i të gjithë burgjeve të cilët do të merren me mbarëvajtjen e procesit.