
Partia Demokratike ka kërkuar dy orë leje për protestën e ditës së nesërme kundër mbylljes së TikTok.
Mësohet se opozita ka kërkuar leje nga ora 19:00 deri në orën 21:00 në tubimin që kreu i PD, Sali Berisha njoftoi menjëherë pas vendimit të qeverisë për mbylljen e këtij rrjeti social.
Sipas shkresës dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, PD ka njoftuar se qytetarët do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Ndërkohë policia ka bërë gati edhe planin e masave për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ku do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.
Në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre.
Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë.