Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka vijuar punën me dyer të mbyllura, duke nxjerrë jashtë mediat, me kërkesë të drejtuesit të këtij komisioni, Ulsi Manja.
Ai është shprehur se, në komision do të shqyrtohet një material i klasifikuar si sekret shtetëror, dërguar nga kreu i shtetit.
“Pjesë e një informacioni të rëndësishëm që ka ardhur nga presidenti do t’u njoftohet sot anëtarëve të komisionit hetimor, duke zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror. Material i ri që ka mbërritur nga zyra e presidentit të republikës do të vijohet me dyer të mbyllura, dhe nuk duhet të dalë në asnjë lloj forme nga dyert e komisionit, përndryshe do të përballeni me ndëshkimin sipas ligjit”, ka thënë Manja.
Gjatë mbledhjes, nënkryetari i Komisionit Alban Zeneli kërkoi procedim sa më të shpejtë të punës dhe daljen me një vendim sa më parë.
“Mund të rishikojmë që sot. Të jepet një mendim i prerë, nëse e ka shkelur apo nuk e ka shkelur Meta Kushtetutën. Rama duhet të dal para shqiptarëve e të thotë e ka shkelur apo jo Meta kushtetutën. Por ju po kërkoni Kohë. Të merren në shqyrtim të gjithë informacionet e të dilet në një vendim”, tha ai./Gazeta Liberale