Aranit Muraçi
Ekonomia shqiptare është e fokusuar kryesisht në aktivitetet tregtare dhe shërbime të tjera dhe jo në ato prodhuese. Si e tillë, vendi ynë i vuajti indirekt madje edhe më rëndë pasojat nga kriza energjetike për shkak të importit të mallrave, duke e blerë akoma më shtrenjtë produktin përfundimtar (shto koston e transportit dhe tarifat doganore). Shqipëria i vuajti këto pasoja ndonëse ekonomia e saj nuk kishte asnjë varësi nga gazi rus, ndryshe nga shumica e vendeve të BE-së, por më tepër nga energjia elektrike që prodhohet në vend. Shumica dërrmuese e bizneseve vendase sipas të dhënave zyrtare investojnë në sektorin e shërbimeve dhe merren kryesisht me tregti.
Dukuri tjetër, që pritej, është tkurrja e Biznesit të Madh. Ka rënë gjatë vitit të fundit me rreth 1 për qind numri i të punësuarve në bizneset që numërojnë mbi 50 të punësuar, kjo më tepër për faktin se punëtorët, kryesisht të rinjtë, janë larguar gjatë viteve të fundit në emigrim. Kontributi i biznesit të madh (me mbi 50 të punësuar) llogaritet në 50,6% në vitin 2022, nga 51,1% në vitin 2021. Sipas INSTAT, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,6% të totalit të ndërmarrjeve, punësojnë 50,6% të të punësuarve gjithsej, dhe realizojnë 41,3% të totalit vjetor të xhiros.
Por shifra besohet të jetë shumë herë më e lartë, për shkak të informalitetit, e cila edhe pse nuk ka një shifër zyrtare vlerësohet në rreth 40 për qind. Shumica e atyre që kanë ikur në emigrim kanë punuar me kohë të pjesshme ose kanë qenë të paregjistruar në sektorin privat. Sipas Instat, për vitin 2022 numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2021. Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) shënoi një përmirësim të lehtë, krahasuar me një vit më parë: nga -32.853 në -32.497 banorë në 2022
Në qarqet Tiranë, Durrës e Vlorë janë përqendruar rreth 64,8% e ndërmarrjeve. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në qarkun e Tiranës me 58.828 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.342 ndërmarrje. Mbizotërimi i grupit të prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet. Në qarqet Tiranë dhe Durrës janë përqendruar 57,8% e grupit të prodhuesve të shërbimeve.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 26,5% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2022. Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 35,8%. Rreth 85,6% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 22,0% në punësim dhe 25,2% në realizimin e xhiros vjetore. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se biznesi i madh, që ka të punësuar mbi 50 për qind të fuqisë punëtore në tregun privat dhe gati gjysmën e xhiros vjetore, ka pësuar rënie.
Numri total i ndërmarrjeve
209.591 është numri i njësive ligjore aktive në fund të vitit 2022, nga 181.549 në vitin 2021, prej të cilëve 84.369 janë fermerë të pajisur me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm NIPT krahasuar me 62,922 fermerë të regjistruar deri në fund të vitit 2021;
37.491 njësi ligjore aktive janë regjistruar gjatë vitit 2022 , krahasuar me 29,152 gjatë 2021; 125.222 janë ndërmarrje ekonomike aktive (përjashtuar fermerët). Në fund të vitit 2021 numërohen 118,627 ndërmarrje aktive; 134.769 njësi lokale aktive numërohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, krahasuar me 128,263 njësi lokale në fund të viti 2021; 1.686 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin ekonomik në më shumë se një vendndodhje krahasuar me 1,711 në fund të viti 2021.
Fermerë të regjistruar
Numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2022 është 84.369 duke shënuar një rritje me 34,1% krahasuar me fermerët në fund të vitit 2021; Fermerët e regjistruar në bashkinë Lushnje zënë 11,1% të fermerëve aktivë të pajisur me NIPT; 54,6% e fermerëve ushtrojnë aktivitetin ekonomik në ferma mikse dhe në kultivimin e perimeve; 10,8% e fermerëve pronarë apo drejtues janë gra.
Ndërmarrje aktive (përjashtuar fermerët)
125.222 është numri i ndërmarrjeve në fund të vitit 2022 duke shënuar një rritje prej 5,6% krahasuar me vitin 2021; 15.700 ndërmarrje janë regjistruar gjatë vitit 2022, nga 14.946 të regjistruar gjatë vitit 2021; 86,5% e ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve, nga 86,6% që ishin respektivisht në vitin 2021.
Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë vetëm 1,6% ndaj totalit të ndërmarrjeve. Kontributi i tyre në punësim llogaritet në 50,6% në vitin 2022, nga 51,1% në vitin 2021; 5,3% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të huaja e të përbashkëta, nga ku 43,6% e tyre janë me origjinë nga Italia dhe 5,2% nga Greqia; 31,2% e ndërmarrjeve drejtohen nga gratë, nga 31,1% në fund të vitit 2021.
Xhiro vjetore e realizuar nga ndërmarrjet për vitin 2022 është 4.488 miliardë lekë;
Numri i të punësuarve gjithsej nga ndërmarrjet aktive në fund të vitit 2022 është 730.450, nga të cilët 343.233 janë të punësuara gra. Në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Vlorë janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në bashkinë Pustec shënohet numri më i ulët. Në fund të vitit 2022 regjistrohen 134.769 njësi lokale nga të cilat 123.536 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në një vendndodhje.
Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta
Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 5,3% të ndërmarrjeve gjithsej, krahasuar me 5,6% të ndërmarrjeve aktive në vitin 2021, dhe punësojnë 12,5% të të punësuarve gjithsej.
Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 62,7% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Pronarët apo bashkëpronarët me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 48,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë dhe Durrës, përkatësisht 70,7% dhe 11,5%.
Ndërmarrjet sipas rajoneve
Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan, ku janë përqendruar 53,1% e ndërmarrjeve. Të punësuarit në këtë rajon zënë 64,0% të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet e regjistruara gjatë këtij viti janë përqendruar gjithashtu në rajonin qendër përkatësisht me 60,5%. Njësitë lokale Në fund të vitit 2022 regjistrohen 134.769 njësi lokale nga të cilat 123.536 prej tyre ushtrojnë aktivitetin ekonomik në një vendndodhje. Njësitë lokale janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë, Durrës me 55,5% të numrit të përgjithshëm të njësive lokale aktive.
/Liberale.al/