Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Shqiptarët “mes luftës”, 15.630 të refuzuar nga BE për vitin 2022 (ukrainasit të parët, rusët të tretët)  

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Shqipëria nuk është në luftë si Ukraina, Rusia, madje nuk ka qenë në luftë as si Siria, Afganistani etj. Ndonëse në zemër të Europës dhe me një popullsi rreth 20 herë më të ulët se Ukraina dhe 50 herë se Rusia, shqiptarët renditen të dytët për vitin 2022 sipas shifrave zyrtare, pas ukrainasve dhe para rusëve, të cilëve iu është refuzuar hyrja në një nga vendet e Bashkimit Europian. Shqiptarët ishin të parët në botë që u dëbuan në vitin 2022, sipas Eurostat, nga një vend anëtar i Bashkimit Europian, por u kthyen në një vend tjetër anëtar të BE-së (për shembull nga Suedia në Greqi ose Itali).

Në vitin 2022, sipas Eurostat, 141.060 shtetas të vendeve jo anëtare të Bashkimit Europian iu refuzua hyrja në territorin e BE-së , ndërsa 1.08 milionë u gjetën të pranishëm në mënyrë të paligjshme, në një nga vendet e BE-së.

Po ashtu në vitin 2022, shifrat e Eurostat tregojnë se rreth 96.795 shtetas jashtë BE-së u kthyen në një vend tjetër anëtar pas një urdhri për t'u larguar nga territori i një vendi të caktuar të BE-së. Për shembull një shqiptar që ka jetuar me parë në Greqi pas dëbimit nga një vend tjetër si Gjermania është lënë të zgjedhë, nëse do të kthehet sërish në Greqi, apo në Shqipëri.

Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve jashtë BE-së që ktheu pas (14.240), e ndjekur nga Gjermania (13.130) dhe Suedia (10.490).

Shqiptarët (9.950) kryesonin listën e shtetasve jashtë BE-së që u dëbuan dhe u kthyen në një vend tjetër anëtar, të ndjekur nga gjeorgjianët (8.040) dhe sirianët (5.590).

Numri i shtetasve jo-anëtarë të BE-së të cilëve iu dha urdhër për t'u larguar nga një shtet anëtar i BE-së ishte 422.400. Pas urdhrit për t'u larguar, 96.795 shtetas jashtë BE-së u kthyen në një vend tjetër (përfshirë vendet e tjera të BE-së) dhe prej tyre, 77.530 u dëbuan nga BE.

Sipas Eurostat, Agjencia Europiane e Statistikave,  në vitin 2022, rreth 141.060 shtetasve jashtë BE-së iu refuzua hyrja në një nga vendet anëtare të Bashkimin Europian, ose 1% më shumë krahasuar me 139. 000 që ishin vitin e kaluar.

Numri më i madh i refuzimeve të hyrjeve të shtetasve jashtë BE-së u raportua nga Polonia (23.330), e ndjekur nga Hungaria (15.780), Kroacia (11.800) dhe Irlanda (9.240). Kjo shpjegohet me arsyen se vendet e lindjet, pjesë e BE-së, janë përdorur si vende tranzit për të udhëtuar në Perëndim, por janë ndalur para se të shkojnë në destinacion.

Qytetarët ukrainas për shkak të luftës dhe numrit të madh të popullsisë përbënin edhe numrin më të madh të refuzimeve në BE (28.890, - 43% krahasuar me 2021). Arsyet kryesore për refuzimin e hyrjes për ukrainasit ishin: qëndruan 3 muaj nga periudha e lejuar 6-mujore. Shifrat e radhës më e madhe për shtetasit jashtë BE-së të cilëve u është ndaluar hyrja në një nga vendet e Bashkimit Europian është regjistruar për qytetarët e Shqipërisë (15.630) dhe vendin e tretë e zënë qytetarët e Rusisë (10.860).

Në vitin 2022, rreth 1.08 milionë qytetarë jashtë BE-së u gjetën të pranishëm ilegalisht në BE, duke treguar një rritje prej 59% krahasuar me vitin 2021 (679.730).

Hungaria raportoi numrin më të madh të shtetasve jashtë BE-së që u futën ilegalisht në një vend anëtarë të BE-së ndonëse mund të jetë përdorur si vend tranzit (222.520), e ndjekur nga Gjermania (198.310) dhe Italia (138.420).

Sirianët përbënin numrin më të madh të shtetasve ilegalë në BE (175.960). Shifrat e radhës më të larta u regjistruan për shtetasit e Afganistanit (119.520) dhe Marokut (60.215)

Në vitin 2022, rreth 422.400 shtetas jashtë BE-së u urdhëruan të largoheshin nga territori i vendeve të BE-së, 23% më shumë krahasuar me një vit më parë (342.100). Ndër vendet e BE-së, Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve jashtë BE që morën urdhër të largoheshin nga territori i saj (135.650), e ndjekur nga Kroacia (40.525) dhe Greqia (33.500).

Numri më i madh i njerëzve që u urdhëruan të largoheshin nga territori i një shteti anëtar u vu re mes algjerianëve (33.535), marokenëve (30.510) dhe pakistanezëve (25.280).

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH