Përgatiti: Aranit Muraçi
Ne (Perëndimi) kemi kaluar në një epokë të re, në atë të konkurrencës globale, lipsur nga nevoja për të bashkëpunuar apo edhe frika e konflikteve. Protagonistët kryesorë janë SHBA-të dhe aleatët e saj nga njëra anë si dhe Kina e Rusia nga ana tjetër. Megjithatë, pjesa tjetër e botës gjithashtu ka po aq rëndësi. Ajo përmban dy të tretat e popullsisë globale dhe një numër fuqish ekonomike në rritje, ku mund të veçohet India, aktualisht vendi më i populluar në botë.
Sidoqoftë, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës janë qartazi më qendrore në rang global. Për fat të mirë, administrata amerikane është përpjekur të reduktojë fërkimet, së fundmi me vizitat në Pekin nga sekretari i shtetit, Antony Blinken dhe sekretarja e thesarit, Janet Yellen.
Objektivi i Yellen ishte, tha ajo, "të krijonte dhe thellonte marrëdhëniet" me ekipin e ri të udhëheqjes ekonomike në Pekin. Ajo theksoi se kjo ishte pjesë e një përpjekjeje për të stabilizuar marrëdhëniet, për të zvogëluar rrezikun e keqkuptimeve dhe për të qartësuar fushat e bashkëpunimit. Ajo shtoi se “ekziston një dallim i rëndësishëm midis shkëputjes, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, diversifikimit të zinxhirëve kritikë të furnizimit ose ndërmarrjes së veprimeve të synuara të sigurisë kombëtare. Ne e dimë se një shkëputje e dy ekonomive më të mëdha në botë do të ishte katastrofike për të dyja vendet dhe destabilizuese për botën. Dhe do të ishte praktikisht e pamundur të ndërmerrej.”
Duhet përshëndetur kjo përpjekje për të qartësuar objektivat, për të përmirësuar transparencën dhe për të thelluar marrëdhëniet. Ne nuk duhet të pengohemi duke krijuar armiqësi me Kinën siç kemi bërë me Rusinë. Më mirë akoma, duhet ta bëjmë këtë marrëdhënie të funksionojë në interes të mbarë botës. Megjithatë, shqetësimet e perëndimit nuk duhet të kufizohen në marrëdhëniet me Kinën. Marrëdhëniet më të mira me pjesën tjetër të botës gjithashtu kanë rëndësi. Kjo kërkon që perëndimi të njohë standardet e veta të dyfishta dhe hipokrizinë.
Pushtimi rus i Ukrainës ishte një shkelje e tmerrshme e parimeve themelore morale dhe ligjore. Shumë nga vendet në zhvillim gjithashtu pajtohen me këtë. Por ata kujtojnë gjithashtu historinë e gjatë të vendeve perëndimore si imperialistë apo edhe pushtuese. Ata as nuk arrijnë të kuptojnë se ne kujdesemi shumë më tepër për evropianët e tjerë, jasjtë sferës së perëndimit sesa për të tjerët. Shumë shpesh, ne kemi parë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe ligjeve ndërkombëtare. Shumë shpesh, ne kemi parë padrejtësi të tilla si një shqetësim tonën. Ukraina, mendojnë shumë, nuk është shqetësim i tyre.
Pastaj është tregtia dhe globalizmi. Në një fjalim të rëndësishëm të mbajtur në prill, Jake Sullivan, këshilltar për sigurinë kombëtare të SHBA-së, hodhi poshtë urdhrin tregtar, për të cilin vendit të tij i ishte dashur dekada për të ndërtuar. Kohët e fundit, përfaqësuesja e tregtisë amerikane Katherine Tai e “varrosi” thuajse fare atë. Fjalimi i saj ngre shumë diskutime. Megjithatë, ajo që nuk mund të injorohet është vetë fakti i ‘volte-face’. Shumë nga vendet në zhvillim pranuan doktrinën e hapjes tregtare. Shumë prej tyre përparuan si rezultat i saj. Por tani ato kanë frikë se janë lënë ‘thatë’.
Një çështje tjetër e rëndësishme është ndihma ndërkombëtare. Vendet në zhvillim janë goditur nga një sërë krizash globale për të cilat ata nuk janë përgjegjës: Covid, rritja e mprehtë e inflacionit, pushtimi i Ukrainës, rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve dhe më pas normat më të larta të interesit. Ndihma që ata kanë marrë gjatë kësaj epoke tronditjesh të mëdha ekonomike ka qenë jashtëzakonisht e pamjaftueshme. Trashëgimia e Covid-it për të rinjtë, së bashku me fryerjen e borxhit, mund të krijojnë dekada të humbura për vendet e varfra dhe të vogla.
Kjo çështje e ndihmës për zhvillim lidhet me sfidat e klimës. Siç e dinë të gjithë në vendet në zhvillim, arsyeja pse problemi i klimës është më urgjent janë emetimet historike të vendeve me të ardhura të larta. Këta të fundit mundën ta përdorin atmosferën si lavaman, ndryshe nga vendet sot në zhvillim. Pra, sot u themi atyre se duhet të nisin një rrugë zhvillimi shumë të ndryshme nga e jona. Eshtë e panevojshme të thuhet, kjo është mjaft irrituese. Megjithatë, emetimet tani duhet të reduktohen ndjeshëm. Kjo kërkon një përpjekje globale, duke përfshirë sa më shumë vende në zhvillim dhe ato më pak të zhvilluara. A kemi bërë përparim në këtë mision, në realitet, jo në mënyrë retorike? Përgjigja është "jo". Emetimet nuk kanë rënë fare.
Nëse emetimet do të bien me shpejtësi, ndërkohë që vendet në zhvillim ofrojnë prosperitetin që kërkon popullsia e tyre, duhet të ketë një fluks të madh burimesh drejt tyre, për të financuar zbutjen e klimës dhe përshtatjen e nevojshme ndaj temperaturave më të larta. Në vitin 2021, transfertat neto nga huatë sipas shifrave zyrtare për vendet në zhvillim dhe ato më pak të zhvilluara ishin vetëm 38 miliardë dollarë. Grantet ishin më të mëdha, por të fokusuara në mjedise më të ngushta.
Kjo ndihmë nuk është aspak e mjaftueshme. Duhet të ketë një ndihmë më të madhe, lehtësim borxhi, mbështetje për investimet në lidhje me klimën dhe mekanizma të rinj për gjenerimin e burimeve të nevojshme, si propozimi që vendet me emetime mbi mesataren për frymë të kompensojnë ato me emetime nën mesatare. Rritja e kapitalit për bankat shumëkombëshe është gjithashtu jetike.
Demokracitë me të ardhura të larta po dështojnë të ofrojnë ndihmën e duhur në këtë perspektivë afatgjatë, ashtu siç bënë me Covid. Në rastin e klimës, duhet të kuptojmë përgjegjësinë tonë për menaxhimin e një problemi që nuk e krijuan të varfërit e botës. Kjo është e padrejtë, thjesht është edhe e dukshme.
Jemi në një garë sistemesh. Shpresoj që demokracia dhe liria individuale të fitojnë në fund. Në plan afatgjatë, ato kanë një shans të mirë për të fituar. Megjithatë, ne duhet të kujtojmë gjithashtu kërcënimet aktuale me të cilat përballemi për paqen, prosperitetin dhe planetin. Trajtimi i duhur i tyre do të kërkojë një angazhim më të thellë me Kinën. Por nëse perëndimi do të ketë ndikimin që shpreson, ai duhet të kuptojë se pretendimet e tij për epërsi morale nuk janë as të pamohueshme dhe as të pakundërshtueshme. Shumë në botën tonë i shohin fuqitë perëndimore si egoiste, të vetëkënaqura dhe hipokrite. Nuk e kanë fare gabim. Prandaj duhet të bëjmë shumë më mirë në të ardhmen.
Përshtatur nga artikulli i Martin Wolf publikuar në “Financial Times” me titull në origjinal “The west must recognise its hypocrisy” - Perëndimi duhet të njohë hipokrizinë e tij”.