Aranit Muraçi
Bujqësia dhe arsimi duhet të ishin dy sektorët prioritarë nga çdo qeveri e tranzicionit. Ironikisht janë dy sektorët që marrin më pak investime në raport me PBB, duke kontribuar në një arsim me cilësi më të dobët dhe largimin masiv të shqiptarëve kryesisht nga zonat rurale, në emigracion.
Mes kaosit të disa deputetëve të Rithemelimit nga radhët e opozitës, u miratua me 74 vota pro të maxhorancës buxheti për vitin 2024. Buxheti i vitit të ardhshëm është planifikuar të shkojë në rreth 737.4 miliardë lekë, ose mbi 7 miliard euro, si dhe parashikon një plan në mbledhjen e të ardhurave në 6.5 miliardë euro. Një nga prioritetet kryesore të buxhetit do të jetë që paga mesatare në administratë të arrijë brenda vitit 2024, në 900 euro, ndërkohë që në fokus duhet të ishte arsimi dhe bujqësia, dy sektorë që kanë mbetur sërish shumë larg vëmendjes që meritojnë. Kjo për arsyen se pagat rriten në bazë të produktivitetit dhe të tregut të punës, ndërsa sfidë për të gjitha qeveritë e tranzicionit, sa herë që është premtuar ose është realizuar rritja e pagave, ka qenë dhe mbetet mbajtja nën kontroll e inflacionit, madje edhe në periudhat kur nuk ka ekzistuar një i tillë në vendet e tjera të BE-së, duke qenë se Shqipëria mbi 70 për qind të volumit tregtar e zhvillon me Bashkimin Europian. E thënë ndryshe, nëse një buxhetori paga do t’i rritet me 20, 30 apo maksimumi 40 për qind (me përjashtim të deputetëve dhe ministrave që i rritet 100 për qind), të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes brenda vitit të çmimit të apartamenteve dhe dyfishimit të tyre në një periudhë të shkurtër. Jemi dëshmitarë të rritjes së çmimit të bukës, vajit, mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tij, vajit të ullirit, transportit dhe hidrokarburëve etj, pra, të secilit produkt të shportës bazë, kujt 30 e kujt tjetër 100 për qind. Atëherë cila është fuqia blerëse?
Pse arsimi dhe bujqësia vazhdojnë të mbeten sektorët më të varfër?
Gjithsesi, në prag të miratimit, Buxheti për arsimin në 2024, pësoi një rritje të papritur, por mbetet sërish larg objektivit të Bashkimit Europian, prej 5% të PBB. Nuk mund të kemi arsim cilësor në kushtet e nën-financimit publik, ndaj edhe në minutat e fundit ligji ndryshoi duke shkuar nga 47.7 miliardë lekë këtë vit në 52.2 miliardë gjatë vitit 2024. Buxheti për vitin e ardhshëm do të vërë në dispozicion të arsimit 1,4 miliardë lekë më shumë nga sa ishte parashikuar fillimisht, në projektligjin e Buxhetit 2024. Nga ana tjetër, ndryshe nga plani fillestar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të ketë 6 miliard lekë më pak para në dispozicion për të shpenzuar. Arsimi i lartë do të marrë 1.5 miliardë lekë, ndjekur nga arsimi bazë dhe i mesëm. Fondet në dispozicion do të rriten me 750 milionë lekë edhe për kërkimin shkencor. Sektori i kësaj ministrie që do të marrë më pak është sporti dhe rinia, me një zbritje prej 200 milionë lekë. Nga zgjerimi i fondeve në dispozicion, pritet nga viti i ardhshëm e deri në 2026-n të ndërtohen ose rikonstruktohen deri në 80 objekte të arsimit bazë me synimin për të hequr përfundimisht mësimin me turne.
Teksa buxheti u miratua sot, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se bujqësia do të financohet në vitin që vjen me një buxhet prej 14.18 miliardë lekësh.
Ministria e Financave, pas miratimit të buxhetit, publikoi edhe mënyrën sesi do të ndahen paratë. Dhe ndërsa publikoi të dhënat, për bujqësinë anashkaloi shifrën e investimit qoftë në vlerë, qoftë edhe në raport me PBB-në, duke e lidhur atë me turizmin dhe “konektivitetin”. Në një kohë kur bujqësia është sektori kryesor i ekonomisë sonë, që siguron 20 për qind të prodhimit dhe punëson mbi 36 për qind të fuqisë punëtore. “Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e Produktit të Brendshëm Bruto, ose 128.5 miliardë lekë, duke u fokusuar në projektet që mbështesin turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin”, tha në njoftimin zyrtar ministria e Financave, pas miratimit të buxhetit.
Ja si do të ndahen paratë e buxhetit 2024 sipas Ministrisë së Financave?
Buxheti i vitit 2024 parashikon 737.4 miliardë lekë shpenzime publike ose 30.3% e Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që të ardhurat buxhetore planifikohen në masën 676 miliardë lekë ose 27.8% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Deficiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe Borxhi Publik do të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së. Shpenzimet e Personelit parashikohen në nivelin 119.8 miliardë lekë, duke përfshirë dhe fondin që do të shërbejë për rritjen e pagave në administratën publike, duke nisur nga 1 korriku 2024. Efekti i plotë i rritjes së pagave është 39.1 miliardë lekë, duke filluar nga 1 janari 2025.
Buxheti 2024 për skemën e pensioneve do të financojë rreth 185.8 miliardë lekë, duke siguruar fondet e nevojshme për indeksimin e pensioneve si dhe bonusin e përvitshëm për pensionistët. Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e Produktit të Brendshëm Bruto, ose 128.5 miliardë lekë, duke u fokusuar në projektet që mbështesin turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin.
Sektori i arsimit do të financohet në total me 78.8 miliardë lekë ose 3.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Sektori i Shëndetësisë do të financohet me rreth 72.2 miliardë lekë në vitin 2024 ose 3% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Sektori i Infrastrukturës dhe Energjisë do të mbështetet me 52.7 miliardë lekë ose rreth 2.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Sektori i Mbrojtjes do të marrë 2% të Produktit të Brendshëm Bruto, ashtu siç u ka kërkuar SHBA të gjithë vendeve aleate, duke arritur për herë të parë objektivin lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s. Madje kur vendi ynë iu përafrua këtij objektivi, duke ia kaluar vendeve të zhvilluara përfshirë edhe Gjermaninë, qeveria shqiptare ka marrë vazhdimisht lëvdata nga administrata e Uashingtonit.
Buxheti 2024 mbështet më tej reformën në drejtësi, duke alokuar 26.8 miliardë lekë për këtë sektor, 4.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2023. Sa i përket Buxhetit Vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me Buxhetin e vitit 2023.
Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal.
/Liberale.al/