Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 3 për qind e GDP-së për arsim, ironikisht Shqipëria lë pas Bangladeshin dhe Pakistanin

Shkruar nga Liberale

Nga Aranit Muraçi

Shqipëria shpenzon 3 për qind të GDP-së për arsim, duke u renditur në listën e Bankës Botërore, ndër vendet që shpenzojnë më pak për edukimin e popullatës në të gjitha ciklet arsimore.  Më keq se Shqipëria gjen pak vende në botë. Disa prej tyre ironikisht janë Bangladeshi dhe Pakistani, dy vende prej të cilave Shqipëria, duke qenë se gjysma e popullatës i është larguar dhe vazhdon t’i largohet,  synon të thithë kohët e fundit fuqi punëtore ‘të pakualifikuar’.

Bangladeshi shpenzon vetëm 1.3 për qind të GDP-së për arsim, kurse Pakistani 2.5 për qind të GDP-së. Ka shumë pak vende afrikane apo gjetkë që shpenzojnë më pak se Shqipëria në arsim, por shumë vende të tjera që shpenzojnë aq sa vendet e zhvilluara, madje edhe më shumë. Kështu, Senegali (5.5), Arabia Saudite (7.8), Tunizia (7.3), Algjeria (6.1), Bolivia (8.9), Beliza (8.7) dhe Kuba (12.8) janë ndër vendet që shpenzojnë më tepër para për arsimin në raport me GDP-në.

Edhe nga vendet e rajonit, Shqipëria mbetet pas tyre, Serbia (3.6), Sllovenia (4.9). Të dhënat janë publikuar në: https://data.worldbank.org/indicator/SE.XPD.TOTL.GD.ZS

Vendet e zhvilluara, ato të BE-së, SHBA, Japonia shpenzojnë mesatarisht 6 për qind të GDP-së. Kina ka vite që i ka çuar mbi 4 për qind shpenzimet e saj për arsimin në raport me GDP-në.

Ndërsa nivelet dhe cilësia e arsimit ndryshojnë nga njëri vendi në një tjetër, ekziston një korrelacion i qartë midis cilësisë së sistemit arsimor të një vendi dhe statusit të tij të përgjithshëm ekonomik apo edhe mirëqenies. Në përgjithësi, vendet në zhvillim priren t’u ofrojnë qytetarëve të tyre cilësi më të larta të arsimit sesa vendet më pak të zhvilluara, dhe vendet plotësisht të zhvilluara ofrojnë cilësinë më të mira të arsimit nga të gjitha vendet e tjera të botës. Arsimi është padyshim një kontribues jetik për zhvillimin e përgjithshëm të çdo vendi.

Sipas Partneritetit Global për Arsimin, në OKB, arsimi konsiderohet të jetë një e drejtë e njeriut dhe luan rol vendimtar në zhvillimin njerëzor, social dhe ekonomik. Arsimi promovon barazinë gjinore, nxit paqen dhe rrit shanset e çdo personi për të pasur më shumë mundësi  dhe të mira për jetën dhe karrierën e tij.

Rritja, zhvillimi dhe reduktimi i varfërisë varen nga njohuritë dhe aftësitë që fitojnë njerëzit, jo nga numri i viteve që ata nxënësit qëndrojnë në një klasë. Vitin e kaluar Banka Botërore për Arsimin hartoi një strategji për të ndihmuar 75 vende të ndryshme që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur arsimit, duke dhënë tre këshilla bazë: Investoni herët. Investoni me zgjuarsi. Investoni në të mësuarit për të gjithë.

Së pari, aftësitë themelore të fituara herët në fëmijëri bëjnë të mundur të mësuarit gjatë gjithë jetës. Shkenca e zhvillimit të trurit tregon se mësimi duhet të inkurajohet herët dhe shpesh, si brenda ashtu edhe jashtë sistemit të shkollimit. Rrjedhimisht, programet e shëndetit para lindjes dhe zhvillimit të fëmijërisë së hershme përfshijnë edukimin dhe shëndetin janë të rëndësishme për të realizuar këtë potencial.

Adoleshenca është gjithashtu një periudhë me potencial të lartë për të mësuar, por shumë adoleshentë e lënë shkollën, të joshur nga perspektiva e një pune, nevoja për të ndihmuar familjet e tyre ose të larguar nga kostoja e shkollimit. Për ata që e braktisin shkollën shumë herët, mundësitë e një shansi të dytë janë thelbësore për të siguruar që të gjithë të rinjtë të mund të fitojnë aftësi për tregun e punës.

Së dyti, marrja e rezultateve kërkon investime të zgjuara – domethënë investime që i japin përparësi dhe monitorojnë mësimin, përtej metrikës tradicionale, si numri i mësuesve të trajnuar ose numri i studentëve të regjistruar. Cilësia duhet të jetë fokusi i investimeve në arsim, me përfitimet e të nxënit si metrikë kyçe të cilësisë. Burimet janë shumë të kufizuara dhe sfidat shumë të mëdha për të hartuar politika dhe programe në errësirë. OKB u ka sugjeruar vendeve që të sigurojnë  prova se çfarë funksionon në mënyrë që të investojnë me zgjuarsi.

Së treti, të mësuarit për të gjithë do të thotë të sigurohet që të gjithë studentët, dhe jo vetëm më të privilegjuarit apo të talentuarit, të fitojnë njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten. “Të mësojmë për të gjithë” promovon qëllimet e barazisë që qëndrojnë në themel të Arsimit për të gjithë.

Arsimi zhvillohet nga investime më të mëdha. Vetëm zhvillimi arsimor i një vendi ndihmon edhe në zhvillimin  tij ekonomik. Zhvillimi ekonomik veç të tjerash sjell zhvillim në të gjitha fushat, si në kulturë, sport dhe aktivitete të tjera. Nuk është aq e vështirë për ta kuptuar.

E ka thënë bukur Nelson Mandela. “Arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorni për të ndryshuar botën” . /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH