Policia e Shkodrës ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan për sulmin me molotov ndaj një fadrome të IKMT-së dhe një ure në lagjen Gjelaj të Thethit. Sipas policisë, fadroma nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk ka patur dëme apo rrezik për njerëzit.
Megjithatë, rreth orës 15:35 një person i paidentifikuar hodhi një shishe me lëndë djegëse në rrugë, duke tentuar të djegë një urë druri. Falë ndërhyrjes së policisë, ura nuk u dogj plotësisht, por u dëmtua pjesërisht.
Policia po punon për të gjetur dhe arrestuar personin që shkaktoi këtë ngjarje.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Në lidhje me një lajm të publikuar në media dhe rrjete sociale, se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotov) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen “Gjelaj”, sqarojmë se:
Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.
Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.
Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.
Policia është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit.