Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 23.998 numri i vdekjeve për vitin 2022, cilat janë sëmundjet më fatale për jetën e shqiptarëve

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 23.998, duke shënuar një rënie prej 21,3 % vdekje, krahasuar me vitin e kaluar. Rënia e ndjeshme e vdekjeve besohet se ka lidhje  me dy vitet e pandemisë që shënuar edhe numrin më të lartë të vdekjeve.

Referuar shkakut kryesor të vdekjeve, sipas shifrave të fundit të publikuara sot nga INSTAT, 97,0 % e vdekjeve gjithsej të regjistruara ishin natyrale. Vdekjet nga grup-sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zë peshën më të madhe në totalin e vdekjeve të regjistruara, dhe vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në vendin tonë. Në vitin 2022, më shumë se gjysma e vdekjeve (54,5 %) kishin këtë shkak kryesor. - “Sëmundjet kronike të zemrës” (42,2 %), “Sëmundjet të enëve të trurit” (22,5 %) dhe “Sëmundjet ishemike të zemrës” (22,3 %) zënë peshën më të madhe të vdekjeve në grup-sëmundjen “Aparati i qarkullimit të gjakut”. Krahasuar me vitin paraardhës, vdekjet nga kjo grup-sëmundje kanë shënuar rënie me 18,2 %.

Të dhënat zyrtare tregojnë se grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve (20,3 %). Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 4,9 % më pak humbje jete. Vdekjet në grup-moshën mbi 70 vjeç përbëjnë 82,3 % të vdekjeve për këtë grup-sëmundje dhe shkaku kryesor është “vdekje nga pleqëria”. Grup-sëmundja “Tumore” përbën grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 13,5 % të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2021, janë regjistruar 5,7 % më pak humbje jete nga kjo grup-sëmundje. “Tumore malinj të aparatit të tretjes” (36,8 %) dhe “Tumore malinj të aparatit të frymëmarrjes” (23,4 %) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grup-sëmundje.

Vdekshmëria sipas grup-moshës

Krahasuar me vitin 2021, vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes” zë peshën kryesore në rënien gjithsej të vdekjeve të regjistruara gjatë vitit 2022.  Sipas gjinisë, u regjistruan 12.921 vdekje për meshkujt dhe 11.077 vdekje për femrat nga 23.998 të vdekur gjithsej, ose 53,8 % meshkuj dhe 46,2 % femra. Si te femrat dhe te meshkujt, grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” përbën shkakun kryesor të humbjeve të jetës, përkatësisht 53,3 % meshkuj dhe 56,0 % femra. Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun e dytë kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë, ku përqindja e vdekjeve te femrat është më e lartë se te meshkujt, 23,9 % me 17,2 %. Grup-sëmundja e tretë vijon “Tumore”, me përqindjen më të lartë të vdekjeve te meshkujt (15,7 %) krahasuar me femrat (10,8 %).

Vdekshmëria sipas grup-moshës

Për grup-moshën 0-19 vjeç, pesha më e madhe e humbjeve të jetës lidhet me grup-sëmundjet “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes” (29,8 %) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (28,1 %). “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (31,6 %) dhe “Dëmtimet traumatike dhe helmime” (30,1 %) përbëjnë grupet me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç. Për grup-moshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, grupi kryesor mbetet “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.  Analizuar sipas shkakut të vdekjeve, grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun kryesor të vdekjeve për grup-moshën mbi 80 vjeç (76,5 %). Në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës mbi 80 vjeç (48,5 %). Ndërkohë, te grup-sëmundja “Tumore”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 65-79 vjeç (47,6 %). /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH