Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 2 miliardë euro, Shqipëria e vetmja në rajon që rrezikon të humbasë fondet e BE-së për bujqësinë (shkak korrupsioni)

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 2 miliardë euro, Shqipëria e vetmja në rajon

Aranit Muraçi

Komisioni Evropian vendosi të pezullojë programin më të rëndësishëm të ndihmës për Shqipërinë, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Në një kohë kur fermerët shqiptarë po përballen me ulje drastike të çmimit të grurit dhe me faliment, kur të rinjtë po largohen masivisht sepse nuk shohin të ardhme dhe as perspektivë për të punuar ose investuar në vendin e tyre, një  vendim tjetër ndoshta dramatik për zhvillimin e vendit, fatkeqësisht përputhet me ngjarjet dhe zhvillimet e viteve të fundit. Bujqësia punëson mbi 40 për qind të fuqisë punëtore dhe kontribon në 20 për qind të GDP-së.

Dhe kur në vend që të përfitohej nga ky program dhe të zgjeroheshin më tej rrugët e përfitimit të fondeve, Bashkimi Europian vendosi të pezullojë fondet e ndihmës për sektorin e bujqësisë, sepse ato dyshohet se janë vjedhur dhe nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur. Shqipëria është vendi i vetëm i rajonit tonë që rrezikon të humbasë fundet e BE-së.

Përveç pezullimit për këtë vit, në letër Komision Europian paralajmëron qeverinë shqiptare se mund të përjashtojë Shqipërinë nga programi IPARD III, i cili deri në vitin 2027 synon të akordojë me projekte të tjera zhvillimi 146 milionë euro grante për fermerët shqiptarë. Këto projekte do të përfitohen me kushtin, që qeveria të korrigjojë me shpejtësi të gjitha abuzimet e gjetura. Fondet e ardhshme të BE-së për fermerët janë në rrezik për shkak të korrupsionit të dyshuar nga strukturat shtetërore.

Komisioni Evropian miratoi në mars 2023 programet e zhvillimit rural (IPARD) në kuadër të instrumentit për ndihmën e para-anëtarësimit për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë, me një buxhet përkatësisht 112 milionë euro, 97, 288 dhe 430 milionë euro. Programet ofrojnë bazën për mbështetjen e BE-së në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore për periudhën 2021-2027, të rëndësishme në kontekstin aktual gjeo-politik. Kjo mbështetje e BE-së, së bashku me kontributet kombëtare publike dhe private, pritet të gjenerojë në total mbi 2 miliardë euro investime në zonat rurale të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Programet IPARD janë gjithashtu një sinjal i qartë i mbështetjes së BE-së për investimet në bujqësi dhe zhvillimin rural në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, si një element i forcimit të qëndrueshmërisë së tyre”, thuhet në vendimin e Komisionit Europian.

“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II,” bëhet e ditur në përgjigjen e BE-së dhënë për BIRN lidhur me vendimin për pezullimin e fondeve.

Nga programi IPARD II, i zbatuar mes viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria mori mbi 71 milionë euro ndërsa programi IPARD III synonte të dyfishonte ndihmën, megjithëse, sërish Shqipëria për shkak të dyshimeve ose e paftësisë për të tërhequr fonde, përfiton gjithnjë më pak se vendet e tjera të rajonit.

Ndërkohë, OLAF vijon hetimet edhe për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri.

Shqipëria sipas të dhënave zyrtare mori  asistencë financiare në kuadër të IPA, në të gjithë sektorët e zhvillimit ne periudhën 2014-2020 plot 639.5 milion Euro. Paratë u dhanë për të ndihmuar zhvillimin e vendit tonë, në fusha si demokracia dhe qeverisja sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, veprimi për mjedisin  dhe klimën, transporti, arsimi, punësimi  dhe politikat sociale, bujqësia  dhe zhvillimi rural etj.

Në mungesë të specialistëve të vërtetë, të investimit për agronomë dhe veterinerë, “plagë” kjo e vjetër për Shqipërinë, mungon edhe vullneti për të respektuar ndihmën e të tjerëve dhe për t’i adresuar fondet në destinacionin e caktuar. Mungesë vullneti që ka çuar në një perspektivë më të dobët ekonomike për vendin dhe që reflektohet në eksodin masiv të njerëzve të aftë për punë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH