Më shumë se një muaj pas vdekjes së papritur të dizajnerit të njohur nga Gjilani, Festim Isufi, familja e tij ende nuk ka marrë përgjigje të qarta se çfarë ndodhi me të. Në një intervistë për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, vëllai i tij, Lulzim Isufi, ka treguar se ata nuk kanë marrë ende raportin e autopsisë dhe nuk kanë informacione zyrtare nga autoritetet.
“Akoma nuk kemi marrë raportin e autopsisë. Nuk ka asgjë të sigurt, jemi ende në pritje,” u shpreh Lulzimi, duke theksuar se familja ndjehet e pasigurt dhe e lënë në errësirë.
Ai ka ngritur dyshime se në këtë rast mund të jetë përfshirë edhe një person i tretë. Edhe pse nuk ka prova të qarta, Lulzimi tha se ka informacione që sugjerojnë se vdekja e Festimit mund të mos ketë qenë e natyrshme.
“Dyshoj se është përfshirë një person i tretë. Madje besoj se edhe prokuroria e di këtë,” tha ai.
Familja Isufi nuk dëshiron të ndërhyjë në hetime, por kërkon transparencë dhe drejtësi. Ata thonë se kanë humbur një njeri shumë të dashur dhe nuk mund të gjejnë paqe pa e ditur të vërtetën.