Një situatë e tensionuar ka ndodhur në ambientet e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ku deputeti Asllan Dogjani është përplasur me anëtarët e këtij institucioni dhe është nxjerrë jashtë nga policia.
Pas largimit, Dogjani mbajti një deklaratë të fortë për mediat, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se është kapur nga mafia dhe ka shitur interesat e qytetarëve shqiptarë.
“Shikoni se çfarë diktature! Shqipëria po merr fund. Popull, çohuni në këmbë të zhdukim hajdutët, të zhdukim ata që po kthejnë vendin në diktaturë. Rama është marrë peng nga mafia kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka shitur interesat e qytetarëve.”
Dogjani, një zë i njohur i opozitës, tha se po pengohet në mënyrë të qëllimshme nga autoritetet për të ngritur zërin në mbrojtje të të drejtës së votës. Ai shtoi se KAS po vepron me dy standarde, duke mos trajtuar të gjithë ankesat dhe palët në mënyrë të barabartë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rrjetet sociale dhe mediat politike, ku mbështetësit e opozitës shprehen të shqetësuar për atë që e quajnë shtypje të zërit kritik dhe mungesë transparence në proceset zgjedhore.
Nga ana tjetër, nuk ka ende një reagim zyrtar nga KAS apo nga mazhoranca lidhur me incidentin.