Aranit Muraçi
Janë vendet më ekonominë më të zhvilluar në botë, vende me industri dhe teknologji të avancuar, ato që investojnë dhe zhvillojnë sektorin e bujqësisë. Ndodh e kundërta në Shqipëri. Sektori i bujqësisë, i cili punëson aktualisht 36 për qind të fuqisë punëtore në vend (10 herë më shumë se mesatarja e BE-së) dhe kontribuon në 20 për qind të PBB-së, pas 90 ka mbetur në pjesën më të madhe me investimin e ligjit të privatizimit, atë të vitit 1991, të ndarjes së tokave, që në vend të zhvillimit solli plagë të shumta sociale.
32 vite pas rënies së komunizmit, në Fletoren Zyrtare është botuar ligji “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore”. Zbatimi i tij përfshin privatizimin për objektet e ish-ndërmarrjeve bujqësore, procedura e privatizimit ose shitjes së të cilave ka nisur, por nuk është përfunduar, ose përmban mangësi në dokumentacion.
Vetë drafti për përfundimin e procesit të privatizimit u prezantua rreth 1 vit më parë. Nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikohet privatizimi për 1,100 ish ndërmarrjet bujqësore, të cilat në vend që të ishin vënë nën funksion të këtij sektori që në vitet e para të demokracisë, u kthyen në gërmadha kurse projekti i tyre i privatizimit zuri pluhur nëpër sirtarët e institucioneve, nga përgjegjshmëria, mungesa e vizionit, apo politika që provojnë largimin e shqiptarëve për të punuar në emigracion dhe dështimin në ekonomi.
Askush nuk e di se përse qindra mijëra shqiptarë janë të punësuar sot në një vend tjetër, në sektorin e bujqësisë, ndërsa Shqipëria importon produkte bujqësore nga vendet e tjera, si qumështi dhe nënproduktet e tij, mishi, veza, deri ta fruta-perimet, që t’i blejë pjesa tjetër e popullsisë së mbetur, në një kohë kur ato mund të prodhoheshin këtu fare mirë, madje edhe më konkurruese në cilësi dhe çmim?
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021, numri i gjedhëve pësoi rënie, me 26 mijë krerë lopë më pak se në vitin 2020. Edhe numri i deleve pësoi rënie me 58 mijë më pak se në vitin 2020, sikurse ra edhe numri i pulave me 3.2 për qind. Sipas INSTAT, në vitin 2021 nga rënia e numrit të lopëve dhe bagëtive ra edhe qumështi me 3.7%, mishi me 1.5%.
Si krahasim, në vitin 2021, kur janë publikuar të dhënat e fundit të Eurostat, tregtia jashtë BE-së e produkteve bujqësore përbënte 8,1% të totalit të tregtisë ndërkombëtare jashtë BE-së në mallra. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2021, tregtia e BE-së për produktet bujqësore u dyfishua, ekuivalente me një rritje mesatare vjetore prej 4,8 %.
Të dhënat mbi tregtinë e produkteve bujqësore janë qendrore për dy politika të rëndësishme të BE-së: Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) dhe politikën e përbashkët tregtare, e cila menaxhon marrëdhëniet tregtare me vendet jo anëtare të BE-së.
Në vitin 2021, Mbretëria e Bashkuar ishte destinacioni më i madh i BE-së për eksport, për produktet bujqësore dhe vendi i dytë më i madh i importeve të BE-së, menjëherë pas Brazilit.
[caption id="attachment_1340660" align="aligncenter" width="745"] Prodhuesit kryesorë/ Lopët dhe bagëtitë në botë[/caption]
Prodhimi botëror i qumështit u rrit me 53 për qind në 887 milionë tonë në vitin 2020, sipas të dhënave të OKB-së, me një rritje prej 307 milionë tonësh krahasuar me vitin 2000 . Tetë prodhuesit kryesorë përbënin 58 për qind të prodhimit global, krahasuar me 52 për qind në vitin 2000. India ishte prodhuesi më i madh i qumështit në vitin 2020, me 184 milion ton (21 për qind e totalit global). Ndërsa prodhimi i Indisë ishte pak më i lartë se ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (prodhuesi i dytë më i madh gjatë gjithë periudhës), prodhimi i së cilës u rrit me 130 për qind midis 2000 dhe 2020 krahasuar me 33 për qind për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prodhues të tjerë (Pakistani, Kina, Brazili, Gjermania, Rusia dhe Franca) secila përbënte 3 deri në 7 për qind të prodhimit global. Rritjen më të shpejtë të prodhimit gjatë dy dekadat e fundit e pati Kina (+217 për qind).
Në vitin 2020, prodhimi botëror i vezëve të pulës arriti në 87 milionë tonë, një rritje prej 69 për qind nga viti 2000 në nivel global. Tre prodhues përbënin gjysmën e prodhimit global të vezëve të pulës në vitin 2020, dhe tetë prodhuesit kryesorë 69 për qind të prodhimit global. Me 30 milionë tonë (35 për qind e totalit botëror), Kina renditet si prodhuesi më i madh i vezëve në 2020; aksionet e prodhuesve të tjerë kryesorë (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India, Indonezia, Brazili, Meksika, Japonia dhe Federata Ruse) variojnë nga 3 deri në 8 për qind prodhimit global.
Kur vendet e mëdha, të fokusuara në industri, kryesojnë prodhimet në bujqësi, 32 vite pas rënies së komunizmit vendi ynë më në fund bëri një hap tjetër pas ndarjes së tokave me ligjin e famshëm 7501: privatizimin e mbi 1 mijë ish-ndërmarrjeve bujqësore.
/Liberale.al/
[caption id="attachment_1340661" align="alignnone" width="742"] Prodhuesit kryesorë të vezëve në botë[/caption]