Letërsi

Rudolf Marku: Migjeni, shkrimtar i  krishterë?

Shkruar nga Liberale

Nga  shumë  njerëz naivë  mendohet se Migjeni akuzohet si një shkrimtar ateist dhe antiklerikal. Për këtë arsye, mendojnë ata, si mund të  qëndroj Migjeni në  të  njëjtin komunitet me Fishtën a Lazer Shantojen?  Si mund të  qëndroj  Migjeni në të njëjtin komunitet me shkrimtarë, ta zëmë, si Ernest Koliqi, Martin Camaj apo Arshi Pipa?

Rudolf Marku

Jemi mësuar që në letërsi, dhe përgjithësisht, në krijimtarinë artistike, të mendojmë për para-ardhësit që ndikuan më se tepërmi në krijimtarinë e autorëve. Te Asdreni duken qartë gjurme dhe pëlqimet e Naimi Frasherit.  Te Lasgush Poradeci mund te ndjesh afërsitë   e Asdrenit dhe te Emineskut. Proza e Mitrush Kutelit shfaq dukshëm pëlqimin e Nikola Gogolit, ashtu si dhe tregimet elegante dhe njëkohësisht dramatike të Ernest Koliqit të afrojnë me tregimet e Pirandelos. Në letërsinë botërore Walt Whitman ka dhëne Pablo Nerudwn, Karl Sandberg dhe poetin bit Allan Ginsberg, po të përmendin veç disa prej dishepujve të poetit te madh amerikan.  Në letërsinë  dhe në krijimtarinë artistike ky fenomen është ndër më të natyrshmit, sepse, siç  na thonë plot mendimtarë  dhe shkrimtarë të shquar, fundja e gjithë letërsia botërore është veç një libër i vetëm, dhe ne vetëm sa shkruajmë ca radhë në ketë libër të madh. Borghesi nga ana tjetër thoshte se, është e pamundur që të mos imitosh.  Puna është që të jesh i paimituar.

Por në ketë rregull të madh, ekzistojnë dhe ca krijues të një race tjetër: ata që nuk kane paraardhës. Në letërsinë shqipe i tille është Migjeni.  Shkrimtarët  si Migjeni, paradoksalisht  rrjedhin jo nga paraardhësit e tyre, por nga pasardhësit.  Janë krijues, vepra e të cilëve dominohet nga parandjenja e asaj që do te vijë ne letërsi, e në art. Janë  krijues që përcaktohen nga një  kohë  që  vjen pas vdekjes së  tyre, dhe jo nga koha që  ka ekzistuar më  parë.  Migjeni dhe shkrimtarët  si Migjeni e presin rrjedhën e kohës.

2.

Shekulli i XX  do të mbetet në histori si shekulli i Proceseve, na thotë Milan Kundera.  Ne do të përmendim vetëm shkrimtarët, artistët  dhe mendimtarët që u akuzuan  gjatë shekullit të njëzet. Ne vitet  njëzet, viktimat e Gjykatës së  Moralit të rreptë Revolucionar janë Andre  Bunin, Andrejev, Shostakoviç, Bulgakov, Isak Babel, Ana  Ahmetova, Mandelshtajm, Pasternak, Solxhenicin, Celine, Knut Hamsun. Jo me larg se në  vitin 1999, një  kryetar Bashkie në  Francë  refuzoi  që  në  shtëpinë  e lindjes së  F.Celin-it  të  vendosej një pllakë përkujtimore. Pas tyre presin radhën për  t’u gjykuar nga Proceset nazizte: Breht, Thomas Mann  dhe Heinrick Mann, Lorca që  vritet në  mënyrën më  absurde, Heminguej i konsideruar simpatizant i së  Majtës. Vijnë  pastaj grupi që  akuzohet si  i  përlyer me Musolinin, Sain Jon Perse dhe më  i madhi prej tyre, Ezra Pound, i mbajtur në  një  kafaz hekuri në  diellin përvëlues të  qytetit Piza  nga ushtria amerikane. Por kjo nuk do ta shpëtoje  veprën  e Ezra Pound që   të  gjykohet rreptas nga komunistët, si një  vepër e errët dhe e pakuptueshme. Një  grup shkrimtarë sh dhe krijuesish gjykohen njëherazi nga komunistët dhe fashistët: Pier Paolo Paozolini është  një  komunist që  shpreh haptazi simpatinë e tij të  thellë  për Ezra Pound, duke u bërë  një herësh armik i së  majtës dhe i së  djathtës. Po këtë  kish bërë  në  vitin 1954 Ernest Heminguej. Dhe kjo tregon fare qartë se , duke përdorur ambalazhin e sulmeve  politike, në  fakt këta Procese e kanë  me veprën artistike.

3.

Në  asnjë vend tjetër të botes së Qytetëruar Proceset nuk kanë qenë më të suksesshme se sa në  vendin tonë. Ngase vendi ynë ka  patur  dhe vazhdojnë të  ketë  një legjitimitet  të konsoliduar të perandorisë osmane, që predisponon një bezdisje te qitabxhive të  administratës kundër mendimit intelektual dhe kundër krijimtarisë. Por kjo ka ardhur gjithashtu dhe nga një  predispozitë  e çuditshme që kemi ne shqiptarët për të gjykuar përherë me rreptësinë më të madhe të tjerët.  Kemi provuar se kur vjen puna për të gjykuar të tjerët, ne jemi gjyqtarët më  të  rreptë . Ngase kurrë  nuk na bie ndërmend që  të  gjykojmë  vetveten  tonë .

Pasi kemi dënuar Fishtën, Konicën, Koliqin, Mitrush Kutelin, Vincent Prenushin, Ndoc Nikajn, Lazer Shantojen, i jemi kthyer shkrimtarëve botërorë , duke dënuar me tonet me serioze Bodlerin, Verlenin,Rembon, Pikason,Kafken, John Updike-n si shkrimtarë  imoralë  dhe dekadentë  që  duheshin mbajtur sa me larg nga lexuesi ynë  i panjollë  dhe i virtytshëm. Edhe Kadare shpesh herë  i nënshtrohet një Procesi  të dyfishtë: në kohen e Komunizmit ai konsiderohej nga gjykuesit puritan si tepër i dyshimtë   dhe si rrënues i kështjellës së  Komunizmit ; në periudhën  postkomuniste shpeshherë   ai akuzohet nga të  njëjtit gjyqtarë hipokritë si një njeri që ka bëre flirte me komunizmin.

4.

Nga  shumë  njerëz naivë  mendohet se Migjeni akuzohet si një shkrimtar ateist dhe antiklerikal. Për këtë arsye, mendojnë ata, si mund të  qëndroj Migjeni në  të  njëjtin komunitet me Fishtën a Lazer Shantojen?  Si mund të  qëndroj  Migjeni në të njëjtin komunitet me shkrimtarë, ta zëmë, si Ernest Koliqi, Martin Camaj apo Arshi Pipa?

Ashtu si te gjithë shkrimtarët e mëdhenj, Migjeni është vënë në bankën e të akuzuarve për shkak te krijimtarisë së tij.  Njerëzit  mediokër nuk e durojnë talentin dhe mendimin e lire. Është historia e vjetër e Mozartit me Salierin.  Jo domosdoshmërisht me Salierin krijues.  Salierë  të politikes, të mendimit estetik, Salierë të kritikes letrare dhe te mendimit letrar, Salierë të administratës. Mendimi se Migjeni nuk përkujtohet nga arsyeja se ai është antiklerikal, ateist dhe përkrahës i komunizmit është një mit i shpikur nga gjykatësit modern, qe duan ta fshehin arsyen e vërtetë  brenda një ambalazhi imponues  politik.

Mendimi (i shprehur a i pa shprehur) se Migjeni dhe Fishta, Koliqi,  Prenushi, Anton Arapi, përjashtojnë  njeri- tjetrin është një  mendim spekulativ,  po aq sa dhe mendimi tjetër,  se Migjeni është i vendosur në rrethinat e lehtësisë  shqipe  nga shkaku i klerit katolik. Imzor Zef Simoni, në  librin me studime nga letërsia shqipe(“Letërsia e parë ndryshe”), i jep një vend të veçantë  Migjenit, duke e çmuar së  tepërmi talentin e tij dhe kontributin e tij në letërsinë tonë. Ernest Koliqi qe nder njerëzit që e ndihmoi pa rezerva Migjenin, duke  e çmuar ndër të parët talentin e tij. Por mendimi se shkrimtarë të ndryshëm përjashtojnë njeri-tjetrin është një mendim qe nuk ka te bej me letërsinë dhe gjykimin  estetik  të saj. Mendimi i pranuar natyrshëm se një  letërsi është më e pasur kur ka zëra nga me te ndryshëm, duket se nuk ngjet te ne. Uniformiteti i mendimit në jetën shqiptare ka përpunuar shije te dyshimta, sidomos tek gjykuesit zyrtar te letërsisë. Shija e kritikes shqiptare, e përpunuar në ca punishte universitare, ka këmbëngulur dhe vazhdon të këmbëngul, që orkestra simfonike duhet të përmbajë vetëm një  a dy instrumente frymore, dhe vetëm kaq.  Por neglizhimi i Migjenit do të ishte po aq i mëkatshëm, sa  ç’ishte dje dënimi i Fishtës, Konicës dhe i Koliqit. Sepse Letërsia e vërtetë është pranuese, jo përjashtuese.  Sidomos jo përjashtuese për ca arsye te politikes se ditës.

5.

E  gjithë krijimtaria e Migjenit jo vetëm  që nuk i kundërvihet Krishterimit, por në të kundërt, është ne thelb e krishtere. Nuk është faji  i  Migjenit se spekulantë të ndryshëm u përpoqën që niçeanizmin e tij ta keq përkthejnë në simpati te komunizmit (“Të Lindet  Njeriu” ka madje si nëntitull Dithiramb Niçean). Nuk është faji i Migjenit që spekulantë të proceseve shpikin si element determinues të krijimtarisë së  Migjenit, miqësinë e paprovuar me Vojo Kushin a me ca personazhe minore të grupeve komuniste të Shkodrës. Të gjitha këto një studiues i i përkushtuar  ndaj principeve  estetike i injoron lehtësisht, si të parëndësishme për analizën e veprës së  Migjenit. Nuk është  faji i Migjenin që ca studiuese tek ne; janë marrë  seriozisht madje dhe me këpucët e tij!

Migjeni shkrimtar i  krishterë?, do të  thonë në mënyrë jo komforte shumë lexues. Them se po, ngase Migjeni në të  gjithë krijimtarinë e vet ka një ndjeshmëri  të jashtëzakonshme kristiane për të ndjerë vuajtjet e të  tjerëve.  Ka një ndjeshmëri të pabarabartë me asnjë shkrimtar tjetër të letrave shqipe  për t’iu afruar të vuajturve, të pangopurve, lapsave dhe prostitutave, zhelemeleve dhe fëmijëve të leckosur, për t’u bere njësh me to.  Kjo ndjeshmëri e bën  Migjenin ndoshta shkrimtarin më të krishterë  të letërsisë tone.  Është e vërtetë se  Migjeni  jo  rrallëherë paraqet lypsët nen hijen indiferente te kishave e te xhamijave.  Por kjo nuk e pengon Migjenin që të jetë një shkrimtar i krishterë. A nuk ishte dhe Shen Françesku ai që kritikonte në kohen e vet  mosndjeshmerinë e ca  priftërinjve ndaj  të varfërve? Skepticizmi klerikalizmit nuk e përjashton mbrojtjen dhe simpatinë e thelle për Krishterimin. Por në kritiken e Migjenit nuk ka malicitet, nuk ka cinizëm të mbrapsht; ka vetëm një dhembje njerëzore për ata që sot, më tepër se kurrë , janë të përjashtuar nga letërsia shqipe si të padenj për t’u marrë si objekt i saj.

Në mendjen time Migjenin gjithmonë e kam përqasur me poetin anglez Wilfrid Owen. Wifrid  Owen i vrarë në moshën 23 vjeçare.  Migjeni   vdekur në  moshën 27 vjeçare. Një poemë te Owenit të titulluar “Pandjeshmëri”, mund ta kishte shkruar në të njëjtat rrethana dhe Migjeni.  Sepse asgjë nuk ka urryer më shumë poeti ynë se sa pandjeshmërinë.  Atë pandjeshmëri  që është normë morale e jetës së shoqërisë sonë, në kohërat moderne  të shekullit  të XXI./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH