Aktualitet

Rritet bilanci tragjik, shkon në 40 numri i të vdekurve nga shpërthimi në minierë

Shkruar nga Liberale
Rritet bilanci tragjik, shkon në 40 numri i të vdekurve nga

Ka shkuar në 40 numri i personave të vdekur në minierën që shpërtheu në Turqi, ndërkohë që ekipet e urgjencës punojnë pa u lodhur në përpjekje për të arritur ndonjë të mbijetuar, por numri i viktimave vazhdon të rritet çdo orë.

Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, i cili ndodhet në skenën e fatkeqësisë, njoftoi përditësimet më të fundit: "Ne numëruam gjithsej 40 të vdekur. 58 minatorë arritën të shpëtonin." Është një nga aksidentet industriale më të rënda që nga fatkeqësia e Soma-s në 2014. Njerëzit vazhdojnë të gërmojnë në rrënoja, por sipas ministrit të Energjisë Fatih Donmez "ne po i afrohemi fundit të operacioneve të shpëtimit".

Shpërthimi ndodhi të premten në një minierë qymyri në Amasra, në provincën Bartin, në veriperëndim të Turqisë. Në atë kohë rreth 110 persona po punonin në vend dhe, sipas ministrit të Brendshëm Soylu, 49 minatorë ndodheshin në zonën "në rrezik" midis 300 dhe 350 metra të thellë, një situatë që e bën operacionin e shpëtimit jashtëzakonisht të vështirë. Ekipet duhej të çanin shkëmbin për të arritur tek të mbijetuarit.

Hipotezat për shkakun e shpërthimit të minierës

Nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit, ndërsa Prokuroria vendase ka nisur hetimet. Miniera i përket ndërmarrjeve shtetërore turke të qymyrit të fortë. Në bazë të informacioneve të para të marra, ministri turk i Energjisë ka bërë me dije se shpërthimi është shkaktuar nga grisù, një gaz që në kontakt me ajrin formon një përzierje shpërthyese në minierat e qymyrit.

Në hyrje të minierës, të afërmit dhe miqtë e minatorëve presin me lot në sy lajmet për të mbijetuarit. "Kishte pluhur dhe tym, ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi," tha një i mbijetuar për BBC.

Sot në vendin e fatkeqësisë pritet një vizitë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Në Twitter Erdogan shprehu një mesazh shprese: “Dëshira jonë është që humbja e jetëve të mos jetë më e madhe dhe që minatorët tanë të shpëtohen”./Liberale.al

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH