Aktualitet

Rigjykimi

Shkruar nga Liberale
Rigjykimi

Vitin e kaluar e cilësoi vendimin për shpërdorim detyre qesharak, por Gjykata e Posaçme e Apelit e ka rrëzuar dënimin me shërbim prove, duke ringjallur akuzat e prokurorisë për trafik të narkotikëve  dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.  Tahiri e cilësoi padrejtësi rikthimin në pikën zero, pas tre vitesh dhe paralajmëroi se do të flasë edhe politikisht

Një dejavu. E tillë dukej shfaqja e ish-ministrit Saimir Tahiri përballë gazetarëve, me shpinën e kthyer nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe fjalët e tij se vijon të jetë kampioni, i lëvduar nga kryeministri Rama për arritjet e tij veçanërisht në luftën ndaj kultivimit të kanabisit duke u bërë i pari që mundi të hyjë në Lazarat.

Ndërsa shtatorin e shkuar, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda  me vetëm 3.4 vite shërbim prove Tahiri e cilësonte vendimin  për shpërdorim detyre qesharak, dje e quajti zvarritjen e procesit, padrejtësi.

Pas tre viteve proces gjyqësor që pasuan me dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Brendshëm, por edhe dorëzimin e mandatit të deputetit, Gjykata  e Posaçme e Apelit, pasi si Tahiri ashtu edhe prokurorët e çështjes e apeluan atë, vendosi ta rikthejë dosjen për rigjykim.

Saga e akuzave ndaj ish-ministrit për  “trafikim të lëndë narkotikëve”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje  të veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, nis nga e para duke rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, për shpërdorim detyre.

Gjykata e Posaçme e Apelit argumenton se  nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri dhe se akuza u shpik nga Gjykata e shkallës së parë, pasi nuk ishte diskutuar në seancën paraprake të kualifikimit të akuzës.

Sipas Gjykatës së Posaçme, ajo e shkallës së Parë,  ka zbatuar gabim nenin 375 të kodit të procedurës penale.

Sipas nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale, Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj. Kur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata vlerëson se fakti për të cilin akuzohet i pandehuri mund të ketë cilësim juridik më të rëndë se ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese, njofton palët mbi këtë mundësi dhe u jep kohën e nevojshme për t’u mbrojtur. Palët kanë të drejtë të paraqesin prova të reja.

Por, sipas nenit 332/d të Kodit të Procedurës Penale, me ndryshimet e vitit 2017 të drejtën për të ndryshuar akuzën ia ka dhënë gjyqtarit të seancës paraprake, ose prokurorit por në seancë paraprake.  Ndaj Gjykata e Posaçme ka argumentuar se nëse gjyqtari i seancës paraprake nuk e ka bërë, as gjyqtari i shkallës së parë nuk mund ta bënte ndryshimin e akuzës, për të cilën shtatorin e shkuar Tahiri u dënua me 3.4 vite shërbim prove.

Vitin e kaluar, ish-ministri ironizonte se akuzat e tij nga trafikim droge – në luftën kundër së cilës kishte marrë merita kur ishte në detyrë -, në shpërdorim detyre ishin katandisur si “kaposhi një thelë”.

“Gjykatë më thotë s’je as trafikant, me aq sa arrita të kuptoj.  Meqë  kushërinjtë kanë përdorur emrin tim dhe qenka shpërdorim detyre. Zoti ju ruajt ju nëse ju përdorin edhe ju emrin kushërinjtë tuaj!  Kjo nuk është fitore, është vetëm maja e betejës sime”, deklaronte vjet me të përfunduar seanca gjyqësore, Saimir Tahiri, ndërsa akuzat ndaj tij u ngritën pas arrestimit të vëllezërve Habilaj,  ndërsa nga prokuroria e Katanias kishte përgjime ku përmendej emri i ministrit të Brendshëm, asokohe.

Por nga Gjykata e Katanias do të vinte vendimi se nuk ekzistonin fakte apo elementë të vlefshëm që mbështesnin akuzën për lidhje të ish-ministrit me grupin kriminal të Habilajve, ndërsa ata përdornin automjetin e shitur nga Tahiri, por ende formalisht në pronësi  të tij.

Por sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit,  vendimi i marrë nga gjyqtari i hetimeve paraprake të Katanias në Itali nuk plotëson kushtet për t'u cilësuar përfundimtar në respektim të nenit 34 të kushtetutës së Shqipërisë.

Gjithashtu, argumenton Gjykata edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shkelur dispozitat procedurale, kur ka komunikuar akuzën ndaj Saimir Tahirit.

Ashtu sicc ka pretenduar qysh në krye të herës, edhe dje Tahiri tha se nuk kishte kryer asnjë faj.

“Nuk e prisja, mendoja që pas thuajse 3 viteve histori do merrte një drejtim. Rikthimi në pikën zero është padrejtësi. Mua realisht nëse ka një njeri të dytë në Shqipëri që zvarritet kështu gjykatave më vjen ndot dhe turp për detyrat që kam mbajtur, nëse ka dhe një shqiptar  të dytë”, u shpreh ai, ndërsa u shpreh i vendosur për t’i shkuar deri në fund.

“Sot Gjykata tha se  Prokuroria nuk ka zbatuar kërkesat e ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale, se cilat janë këto unë nuk e di para se të shoh vendimin”,  deklaroi ai ndërsa lëshoi një mesazh për pushtetarët.

“Ia ka vlejtur të përballem si qytetar, jo si ata vemjet më parë që janë përballur si pushtetar. Këmbët e mia më mbajnë edhe pa pushtet”, tha ai, ndërsa pushtetarë që janë përballur më herët me drejtësinë pa hequr dorë nga posti janë Meta, Mediu apo edhe Basha ,kur ishte ministër i Transportit.

Edhe njëherë Tahiri theksoi luftën ndaj kultivimit të kanabisit gjatë detyrës si ministër i Brendshëm.

“Unë kam luftuar më shumë se të gjithë ata të tjerët të marrë bashkë'. Pikëpyetja e vetme sot në reflektim sipas tij është nëse “duhet të ishim transparent aq sa duhet me atë që bënim deri në çdo bimë apo mund t’i fshihnim dhe ju nuk merrnit vesh gjë dhe për rrjedhojë nuk kishte as debat”,  u shpreh ai megjithëse pranoi se kishte bërë edhe gabime.

Vitin e kaluar, Tahiri shprehej se procesi i tij ishte politik dhe prokurorinë e quante të komanduar.

“Kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa s’është dhe Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh”, shprehej ai, ndërsa dje tha se i interesonte drejtësia dhe gjyqtarët që e gjykonin e kishin kaluar vetingun. Gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda që dhanë vendimin për Saimir Tahirin vitin e kaluar nuk e kishin kaluar ende vetingun.

Përfaqësues të abasadës së ShBA-së  i ndoqën prej muajsh seancat e gjyqit të ish-ministrit Tahiri, deri në të fundmit ku treshja e gjyqtarëve Mustafaj, Hajredinaj dhe Gjoka duke bërë rikualifikim të veprës, ndryshe nga tri akuzat e ngritura prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda, vendosën se ndaj Tahirit nuk u gjetën prova për implikim në trafik droge apo  pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal e as korrupsion i zyrtarëve të lartë, duke rrëzuar kështu edhe pretendimin e prokurorëve për dënim me 12 vite burg.

Pas dhënies së vendimit ndaj një ish-zyrtari të lartë si Tahiri, ambasada deklaronte se ishte fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë  dhe  një hap i rëndësishëm përpara, megjithëse dënimin e cilësonin shkurajues, përballë  akuzave të rënda.

“Mirë se të vijnë kushdo”, do të shprehej Tahiri për praninë e ndërkombëtarëve, ndërsa procesi do të nisë edhe njëherë nga e para.

“Po e pashë të arsyeshme as më shkon ndërmend t’i shkoj me gjykim të shkurtuar këtij procesi, me gjykim të zakonshëm, prova, dëshmitarë, lista punësh dhe rezultatesh”, tha ai, ndërsa në procesin e shkuar kërkoi gjykim të shkurtuar, që e reduktoi pretencën  e prokurorëve Mara e Prençi nga 12 vite në 8 e që më pas u reduktua në 3.4 vite shërbim prove.

Me rikthimin në pikën zero të procesit gjyqësor ndaj Saimir Tahirit,  mund të ketë disa skenarë.

I pandehuri Tahiri mund të kërkojë pavlefshmërinë e provave apo marrjen e provave të reja, duke hequr dorë nga  zhvillimi i gjykimit të shkurtuar, siç e paralajmëroi edhe vetë ai dje.

Edhe Gjykata kryesisht ka të drejtë të revokojë gjykimin e zakonshëm kur konstaton  pavlefshmërinë e akteve, gjykata mund të vendosë pafajësi, ose çështja mund të rikthehet për rihetim të SPAK, nëse ka elementë të rinj. E sigurt mbetet që Tahiri do të jetë ende jashtë politikës pa mundur ta pastrojë emrin e tij nga akuzat e rënda, për sa kohë që procesi nis nga e para.

Dy vjet më parë, Tahiri shprehej se ishte në dijeni të personave që donin t’i bënin “gropën” në politikë. Por pak ditë më parë ai tha se nuk kishte ikur nga politika, megjithëse dorëzoi jo vetëm detyrën por edhe mandatin e deputetit. “Kjo historia e politikës nuk më tundon, siç nuk më ka tunduar në momentin që ika nga deputet për t’u përballur me drejtësinë”, shprehej ai, ndërsa paralajmëroi se do të ketë një kohë, kur do të flasë edhe politikisht.

Gjykata e Posaçme e Apelit: Asnjë hetim për shpërdorim detyre

Gjykata e Apelit shprehet se nuk mund të japë një vendim dënimi ndërkohë që nuk është bërë asnjë hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, për të cilën shkalla e parë e dënoi ish-ministrin.

Kjo akuza, pra e shpërdorimit të detyrës, Apeli thotë se është shpikur nga gjykata e shkallës së parë, pasi nuk është diskutuar në seancën paraprake, ku gjyqtari kontrollon veprimet procedurale dhe ka të drejtë të bëjë kualifikimin e akuzës. Përderisa nuk e ka bërë gjyqtari i seancës paraprake nuk mund ta bënte ai i shkallës së parë në fund apeli në këto kushte kërkon të rigjykohet. Pra, sipas Apelit nuk duhet të ndryshonin akuzat për "Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal për Saimir Tahirin.

"Ky kolegj vlerësoi të pabazuar shkakun e pretenduar nga Saimir Tahiri dhe mbrojtësi i tij. Ky kolegj i çmoi se vendimi i marrë nga gjyqtari i hetimeve paraprake të Katanias në Itali nuk plotëson kushtet për t'u cilësuar përfundimtar në respektim të nenit 34 të kushtetutës së Shqipërisë. Së dyti ky kolegj duke shqyrtuar në themel faktet e atribuuar të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në raport me aktin e njoftimit të akuzës dhe kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq të prokurorisë në raport me vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake si dhe në raport me konkluzionet e arritura nga vendimi i apeluar vlerësoj se në rastin konkret janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mos respektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të kodit të procedurës penale se në këtë rast gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt që atribuohet nga prokuroria të pandehurit, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe për më tepër nuk u është atribuuar-- kultivimi i narkotikëve apo dhe përhapja e kultivimit në Shqipëri. E lidhur kjo me episode konkrete të sekuestrimit dhe asgjësimit të narkotikëve në datat 13.09.2016 dhe 04.10.2016 dhe 18.10.2017.

Në lidhje me këto episode dhe kultivimin e narkotikëve, prokurorët janë shprehur se nuk kanë ngritur akuzë ndaj të pandehurve Saimir Tahiri dhe Çela por janë referuar duke mbështetur ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e grupit të strukturuar kriminal pjesë e të cilit akuzohet se janë edhe dy të pandehurit. Gjykata e Krimeve të Rënda ndonëse e vlerësoi si kontradiktor këtë qëndrim të prokurorisë në vijim duke iu referuar episodeve që lidhen me sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike në 2016-17 rikualifikon faktin penal të atribuuar të pandehurve në lidhje me trafikimin e narkotikëve në 4 episode konkrete dhe cilësuar si shpërdorim detyre.

Në vëmendje të gjykatës së Apelit është edhe parashikimi i pikës të 6 në nenit 28 të kodit penal që përcakton se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal në rastin konkret janë përgjegjës për të gjitha veprimet penale të kryer prej tyre në përmbushje të qëllimeve të veprimtarisë kriminale. Në rrethanat e referuara më lart, kolegji çmon se një konkluzion i tillë sjell si pasojë prishjen e vendimit të apeluar-vendimit të gjykatës për krimet e rënda dhe kthimin e akteve në shkallë të parë.  Për këtë arsye gjykata e posaçme e apelit vendosi; Prishjen e vendimit nr. 60 datë 19.09.2019 të gjykatës për Krimet e Rënda, aktualisht GJKKO dhe dërgimin e akteve në atë gjykatë, një kolegji tjetër të saj", thuhet në vendimin e gjykatës së Apelit.

Tahiri: Jam prapë kampion

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzoi se procesi kundër tij po zvarritet qëllimisht. Ai tha se mund ta mos kërkojë më gjykim të shkurtuar, por procesi të zhvillohet normalisht kundër tij në shkallën e parë.

Ai vlejti që hoqët dorë si deputet?

Ia ka vlejtur të përballem si qytetar, jo si ata vemjet më parë që janë përballur si pushtetar. Këmbët e mia më mbajnë edhe pa pushtet.

Si e konsideroni vëzhgimin e procesit nga ndërkombëtarët?

Mirë se të vijnë kushdo. Po e pashë të arsyeshme as më shkon ndërmend ti shkoj me gjykim të shkurtuar këtij procesi, me gjykim të zakonshëm, prova, dëshmitarë, lista punësh dhe rezultatesh

Edhe ish-vartësit tuaj duhet të vijnë?

Unë po ju them se jam i dedikuar për këtë proces, është jeta ime, nuk është një pikë në agjendë, apo një ditë pune si gjithë të tjerat, është jeta ime dhe pa asnjë diskutim do të gjej një mënyrë që ta përball sikur duhet, si gjithmonë. Më mbajnë këmbët e mia dhe lëkura ime.

Prokurori i përgjithshëm ka folur me shqetësim për kultivimin e kanabisit...

Unë kam luftuar më shumë se të gjithë ata të tjerët të marrë bashkë. E vetmja gjë që i kam vendosur pikëpyetje vetes ishte, a duhet të ishim transparent aq sa duhet me atë që bënim deri në çdo bimë apo mund ti fshihnim dhe ju nuk merrnit vesh gjë dhe për rrjedhojë nuk kishte as debat.  Unë zgjodha rrugën që të thosha të vërtetën.

Sot po fshihen?

Jo, nuk po nënkuptoj asgjë, do të ketë një kohë që të flas edhe politikisht.

Çfarë keni bërë që të gjithë po ju sulmojnë?

I jepni dot gjykim pse zvarritet procesi 3 vite dhe tani fillon nga e para?

Keni qenë ministri i cilësuar si kampion dikur...

Jam prapë kampion. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH