Letërsi

Rezistova sepse kam kaluar fëmijëri të lumtur...

Shkruar nga Liberale
Rezistova sepse kam kaluar fëmijëri të lumtur...

Bisedë e pabotuar e Maks Velos me studentët e UET

Ky bashkëbisedim i Maks Velos me studentë të Universitetit Europian të Tiranës, bëhet sot publik për herë të parë. Daton Korrik 2018, kur Velo ishte i ftuar nga UET në shkollën verore të organizuar në Korçë. Ai ndan me të rinjtë optikën e tij, ndërsa i përgjigjet interesimit të tyre mbi dilema egzistenciale dhe identitare, si rishtarë në kërkim të vetes, të ardhmes në Shqipëri, apo sfidave që i presin.

Miqësor, frymëzues, i drejtëpërdrejtë në komunikim, i mprehtë në artikulim dhe i thelluar në përgjigje, ai i fton të mendojnë, për të kuptuar se çdo e tashme përvijohet nga e shkuara dhe e ardhmja shkruhet nga secili, në përjekje të vështira, të përditshme për t’i qëndruar besnik vetes dhe të drejtës.

Si të orientohen në këtë mjedis që i ç’orienton?

Rrugët tona akoma nuk kanë ndryshuar; kanë ngelur me gropa. Ku qëndron problemi me ne shqiptarët? Janë dy gjëra: së pari ne kemi frikë nga varfëria e kaluar. Ne e kemi frikën historike. E tërë kjo pamje që kemi ndër sy sot, për mua është teatër, sepse ne bëjmë sikur punojmë , sikur lodhemi, sikur jemi të ndershëm. Analizoni shoqërinë tonë - ne jemi njerëz falsë. Po të lexoni librin tim me rrëfimet e kohës së burgut, do tmerroheni. Unë isha një djalë i mirë, i edukuar, piktor. Nuk isha njeri me fizik të fortë, por i rezistova torturave. Pse rezistova unë? Sepse kam kaluar fëmijëri të lumtur! Burgu i Spaçit ishte vërtet i ashpër dhe i vështirë, por ja që kishte njerëz që i mbijetuan, pa e humbur veten. Tek libri është dokumenti kur ata më rekrutojnë katër ditë para çlirimit dhe unë u thashë jo, edhe pse më propozuan gjashtë herë në hetuesi.

Përpiquni të zbuloni vlerat tek të cilat besoni, ëndrrat që keni dhe luftoni pa kompromis për mos t’i humbur. Unë po punoj akoma në këtë moshë, nuk e di sa do jetoj, por kam nevojë të përpiqem; të them fjalën time, për aq sa mund t’u vlejë të tjerëve. Prandaj jam sot përpara jush – t’ju them të vërtetën time, mendimet e mia. Ju zgjidhni modelet që do të ndiqni në jetë, çfarë ju frymëzon. Sepse është e rëndësishme të mos jetoni verbtaz, pa ditur çfarë po bëni, për kë dhe si po e jetoni jetën tuaj.

Kjo është mënyra ime për t’ia kthyer borxhin bujarisë së jetës; me aq sa jam i aftë dhe sa di, dua të le diçka të vlerë për njerëzit dhe shoqërinë shqiptare.

Mjafton të jesh vetja, nuk ka rëndësi se ku. Nëse do jesh i zoti, apo e zonja, do rrezatosh. Nëse studioni, jetoni, përpiqeni me këtë bindje, është dhurata më e madhe që i bëni vetes dhe botës. Secili është një dhuratë e mrekullueshme, në egzistencën e jetës dhe të botës. Jepni gjithmonë më të mirën e vetes suaj; kështu do ta gjeni rrugën e duhur për ju!

Poeti dhe shkrimtari…A janë gënjeshtarë që thonë të vërtetën?

Kjo do të thotë që arti është një gënjeshtër e mrekullueshme. Shkrimtari dhe poeti me anë të një gënjeshtre të madhe si arti, thonë të vërtetën. Por arti bëhet i rrezikshëm dhe i mjerë, nëse ka një shmangie estetike dhe etike. Po ju jap një shembull - Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë se sa artistë kanë qenë në kampin socialist, asnjë nga ata nuk është në shekullin e 20. Të gjithë rusët e ikur në perëndim janë nga korifejtë e artit botëror. Kjo është rëndësia e goditjes estetike. Ana estetike e problemit të çon tek e vërteta. Ne jemi një popull i vogël që jetuam pushtimin e 500 viteve dhe e kemi të vështirë të brendësojmë kulturën europiane, sepse është e shtresëzuar. I vetmi gjeni që ne kemi është Ismail Kadare. Shpjegimi im është ky: Shqipëria ishte si një rezervuar me ujë, por që nuk kishte rubinet. Kadare ishte ai që e gjeti. Veçantia e Kadaresë qëndron tek zbulimi i shpirtit të fshehur për mijëra vjet – Kronikë jonë në Gur! E bukura e artit është se ai është njerëzor; dëshmon universin njerëzor, përmes mjeshtërisë së artistit krijues dhe guximit të tij.

Nëse nuk do kishit kaluar kaq shumë dhimbje në jetë a do ishit i njëjti në art?

Pjesërisht e vërtetë, sepse ka dhe dhimbje që prodhojnë monstra. E gjitha ka lidhje me mënyrën sesi e kontrollon dhimbjen. Kjo varet nga njeriu. Unë mundohem të them të vertetën; me artin tim, me fjalën time, në përballjen time me fenomenet sociale dhe politike që më shqetësojnë. Besoj se çdo gjë që kalon njeriu, në një mënyrë e përkufizon atë. Secili mbart dhe dëshmon historinë e tij.

Vitet më të bukura të jetës?

Padyshim vitet e jetuara në Korçë. Kam foto kur erdhën ushtarët Italianë, kur erdhën grekët, e më pas gjermanët. Në festa shkonim nëpër kisha me familjen. Kur fëmijëria ka kaq shumë ngjarje, ajo të krijon. Jeta është si një lojë dhe fëmija di të argëtohet shumë. Përpiquni ta ruani gjithë jetën fëmijën brenda jush!

Qyteti me vlera më të të arrira arkitekturore?

Si trashëgimi ka Berati dhe Gjirokastra. Por për vlera absolute është muzeu mesjetar në Korçë . Aty janë 5000 ikona dhe kjo është gjëja më me vlerë. I jap rëndësi ikonave sepse janë e vetmja gjë e jona. Fshatat e Korçës janë biznatine. Ne patëm një realizëm socialist specific, ku rusët mbanin atributet e profesionalizmit. Çdo njeri që vjen në Shqipëri do të shikojë artin socialist, sepse ka vlera historike. Na duhet akoma punë, për të ndërtuar identitet.

Sa e vështirë ishte për ju të krijonit një identiet origjinal dhe sa e vështirë ka qenë t’i qëndroni besnik vetes suaj?

Nëse ti do të jesh e veçantë, bëhesh e tillë. Njeriu i veçantë nga ai conformist, ndryshon nga detyra që i vë vetes, jo nga shoqëria. Unë këtë detyrë i kisha vënë vetes që i vogël. Rrugëtimi im besoj e ka dëshmuar këtë. Ju ftoj të mos rreshtni kurrë së bëri pyetje vetes dhe të tjerëve; vetëm kështu do të zbuloni më të mirën tuaj dhe do të përmbushni misionin e egzistencës suaj. Mos u dorëzoni kurrë! /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH