Aktualitet

Reduktohet numri i punonjësve në sektorin fason, shkak shpopullimi

Shkruar nga Liberale
Reduktohet numri i punonjësve në sektorin fason, shkak shpopullimi

Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve u tkurrën në numër dhe në punonjës gjatë vitit 2021 në krahasim me vitet e mëparshme për shkak të problemeve që po krijohen mungesa e punonjësve.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se numri i ndërmarrjeve në sektorin fason arriti në 783 gjatë vitit 2021 nga 907 që ishin në vitin pandemik 2020.

Numri i bizneseve në sektorin fason u tkurr me 3% në krahasim me vitin 2020 dhe 16% në krahasim me vitin para-pandemik 2019. Numri i tyre shënoi kulmin në vitin 2016 me 1189 fabrika.

Burimet nga sektori pohojnë se zhvillimet demografike e kanë vënë në vështirësi sektorin fason. Rënia e lindjeve, emigrimi i të rinjve dhe rritja e konkurrencës në tregun e brendshëm të punës po çon në faliment fabrikat e vogla. Disa prodhues të vegjël falimentuan gjatë vitit pandemik 2020, pasi nuk mbijetuan në muajt e parë të bllokimit, ndërsa të mëdhenjtë patën mundësi të diversifikojnë prodhimin në përshtatje me pandeminë.

Më tkurrjen e fabrikave po tkurret edhe numri i punonjësve në sektor. Në vitin 2021 numëroheshin 54,036 punonjës me page në të gjithë industrinë me rënie vjetore mbi 7 % në krahasim me vitin 2020.

Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, me gjithë vështirësitë që sollën mungesat në fuqinë punëtore, arriti të integrohet në një shkallë më të lartë të zinxhirit të vlerës vitin e kaluar duke rritur të ardhurat nga aktiviteti. Në vitin 2021 të ardhurat nga shitjet shënuan 52.6 miliardë lekë me një rritje vjetore 9.5%, por gjithsesi mbetën 4% më të ulëta se në 2019-n, pasi sektori nuk arriti të rikuperohej për shkak të kufizimeve të vazhdueshme nga pandemia në Europë edhe përgjatët vitit 2021, që ndikoi në kërkesën e porositësve.

Sektori po orientohet gjithnjë e më shumë drejt segmenteve të tregut me vlerë të lartë. Eva Laro, e cila zotëron një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucës në vend, ka kontrata me markat prestigjioze të tregut europian, si Clarks, Josef Siebel, që i referohen një niveli mesatar të konsumatorëve.

Pothuajse të gjitha fabrikat prodhojnë për nivelin mesatar të tregut europian, teksa po synojnë klientë mbi këtë nivel dhe të diversifikohen, por sektori ende ka varësi të lartë nga tregu italian.

Lufta në Ukrainë ishte një shans tjetër për industrinë. Shumë kompani europiane, që më parë prodhonin atje, nisën të kërkonin vende të tjera në Europë për të zhvendosur prodhimin dhe Shqipëria u bë tërheqëse për shkak të afërsisë gjeografike dhe kostove ende të ulëta të prodhimit. Por kufizimet në punonjës po pengon zgjerimin nga transferimi i zinxhirëve të prodhimit./MONITOR

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH