Aktualitet

Rama dhe Plenkoviç, njëzëri në Kroaci: “Heroizimi” i sulmuesve nga Beogradi nuk mund të mbetet pa përgjigje

Shkruar nga Liberale
Rama dhe Plenkoviç, njëzëri në Kroaci:

Kryeministri Edi Rama ndodhet për vizitë zyrtare në Kroaci, ku është pritur me ceremoni nga homologu i tij, Andrej Plenković. Delegacioni shqiptar ka nënshkruar dy marrëveshje me qeverinë e Kroacisë, një për njohjen e pensioneve nga të cilat përfitojnë mbi 3000 shqiptarë që jetojnë atje, si edhe një marrëveshje në fushën e mjekësisë.

Ministri i Financave Ervin Mete dhe Ministri i Punës, Sistemit të Pensioneve, Familjes dhe Politikës Sociale të Kroacisë, Marin Piletić nënshkruan në Zagreb, marrëveshjen për mbrojtjen shoqërore. Kjo marrëveshje u siguron qytetarëve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjellët të kontributeve të sigurimeve shoqërore për përfitimin e pensioneve.

Më tej, Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dënuan ashpër dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës.

Kryeministri Rama tha se Kroacia është një shembull frymëzimi për rrugëtimin europian të Shqipërisë. Rama shtoi se kanë kërkuar mbështetje direkte nga qeveria kroate në procesin e integrimit. “I nderuar kryeministër, në radhë të parë dhe jo për formalitet, por për të shprehur sinqerisht kënaqësinë, faleminderit për mikpritjen dhe frymën pozitive të një marrëdhënie prej së cilës në mësojmë vazhdimisht. Kroacia është një shembull dhe një burim inkurajimi dhe frymëzimi në procesin tonë të ecjes drejt anëtarësimit të plotë në BE. Kroacia është shembull suksese, së fundmi edhe me eurozonë dhe shengen. Çfarë Kroacia ka rritur në një dekadë pas anëtarësimit në BE, jo vetëm na gëzon por na inkurajon, na bën edhe më kërkues ndaj miqve në Zagreb për të na ndihmuar me eksperiencën e tyre”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Gjatë vizitës zyrtare në Zagreb, Rama në një konferencë për median tha se agresioni i forcave paramilitare është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit.

“Kemi një krim, vrasjen e një punonjësi policie dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha kryeministri shqiptar, duke theksuar se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Europë”.

Të dielën, më 24 shtator, rreth tridhjetë pjesëtarë të armatosur rëndë të njësive paraushtarake serbe vranë policin Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë në Zveçan, në veri të Kosovës. Forcat e sigurisë së Kosovës eliminuan tre sulmues serbë në betejë, prandaj Beogradi shpalli ditë zie.

Nga ana e tij kryeministri kroat Plenkoviç theksoi se këto lëvizje "nuk mund të mbeten pa përgjigje" dhe se vendimi i Beogradit në ditën e zisë "pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur". Ai theksoi nevojën e një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të propozojë masa.

Komisioni Evropian (KE) gjithashtu mund të miratojë masa në mënyrë autonome, pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, siç bëri kundër Kosovës disa muaj më parë. Për shkak të mosrespektimit të kërkesave të BE-së ndaj Prishtinës, KE mori masa për të pezulluar punën në trupat punues në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tërhoqi ftesat për takime të nivelit të lartë dhe pezulloi Kosovën nga programi i saj prej 7.5 miliardë eurosh.

Kryeministri kroat theksoi se është i sigurt se masat do të merren dhe Rama kërkoi që ato të zbatohen “pa humbur kohë”, sepse vendimi i Beogradit në ditën e zisë nuk lë vend për interpretime të ndryshme.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH