Klementin Mile
Pavarësisht impenjimit të ambasadës amerikane dhe të ambasadorëve të tjerë perëndimorë, loja politike me reformën zgjedhore po kalon në nivele të tjera. Kështu, tanimë kemi dy marrëveshje politike që do të paraqiten për votim në parlament: atë që u nënshkrua nga Këshilli Politik në 5 qershor dhe atë që u nënshkrua nga mazhoranca me opozitën parlamentare në 21 korrik.
Flasim për lojë, pasi këto marrëveshje nuk mund të qëndrojnë të dyja. Ndërsa marrëveshja e 5 qershorit ishte për riparimin e administrimit të zgjedhjeve pa i ndryshuar ndonjë gjë në thelb sistemit elektoral, marrëveshja e 21 korrikut synon reformimin e sistemit në të paktën dy pika të rëndësishme si hapja e pjesshme e listave dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Marrëveshja e 5 qershorit thotë që palët bien dakord të mos e ndryshojnë sistemin, por vetëm ta riparojnë atë. Marrëveshja e 21 korrikut thotë që palët bien dakord ta ndryshojnë sistemin. Në këtë mënyrë, 21 korriku, efektivisht, e anullon 5 qershorin. Fakti që kjo nuk po pranohet nga aktorët që e gatuan marrëveshjen e 21 korrikut, mazhoranca dhe opozita parlamentare, është tregues që loja ka hyrë në një nivel më të lartë dhe më të sofistikuar.
Le të kujtojmë që marrëveshja e 21 korrikut erdhi pas një takimi që ambasadorja amerikane Kim, me iniciativën e saj, zhvilloi me kryeministrin Rama. Qëndrimi i ambasadës amerikane u tha se ishte miratimi pa ndryshime nga parlamenti i marrëveshjes së 5 qershorit. Por kjo nuk ndodhi. Ose nuk ndodhi vetëm kjo. Mazhoranca dhe opozita parlamentare ranë dakord për t’u pajtuar me kërkesën amerikane, por nuk e lanë me aq. Ata, në fakt, dolën praktikisht kundër qëndrimit amerikan me marrëveshjen që nënshkruan në 21 korrik.
Po si ka mundësi që lojtarët politikë të një vendi të vogël, të cilin me siguri sekretari amerikan i shtetit Pompeo nuk arrin ta gjejë dot në hartë, e që megjithatë gjeti kohë ta përmendte në fjalën e tij përshëndetëse për marrëveshjen e 5 qershorit, si ka mundësi pra që lojtarët politikë lokalë t’ia vështirësojnë kaq shumë lojën superfuqisë? A nuk do të ishte e çuditshme që në një ndeshje midis Barcelonës dhe Laçit të fitojë ky i fundit? Si mund të shpjegohet dështimi i amerikanëve për të arritur rezultatin e synuar përballë politikanëve shqiptarë? Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për reformën zgjedhore, por, prej vitesh tashmë, edhe për reformën në drejtësi.
Politologu amerikan Bueno de Mesquita ka zhvilluar një model vendimarrje që hedh dritë mbi këtë çështje. Modeli i tij paraqet një lojë ku aktorët njëkohësisht bëjnë propozime dhe ushtrojnë influencë mbi njëri-tjetrin. Ata pastaj vlerësojnë opsionet dhe ndërtojnë koalicione duke ndryshuar pozicionet për çështjen në diskutim. Rezultati i lojës vendoset nga kombinimi i tre faktorëve: pushteti, pozicioni dhe prioriteti.
Duke e sjellë këtë model në rastin tonë, padyshim mund të themi që diferenca në pushtet, si kapacitet potencial i aktorëve, është në favor të amerikanëve. Pushteti, pra, nuk mund ta shpjegojë humbjen e tyre përballë politikës shqiptare; përkundrazi.
Në këto kushte ka vetëm dy shpjegime të kësaj humbjeje. E para lidhet me faktorin prioritet. A është me të vërtetë në krye të agjendës amerikane demokracia dhe zgjedhjet e lira e të ndershme? Dhe më tej, në krye të cilës agjendë? Asaj për Shqipërinë? Po Shqipëria a është në krye të agjendës amerikane për Ballkanin? Po Ballkani a është në krye të agjendës amerikane për Europën? Po Europa a është në krye të agjendës amerikane sot?
Duke u mbështetur te faktori prioritet, me të cilin lidhet investimi i aktorëve për adresimin e një çështjeje, mund të dallojmë lehtësisht se balanca e prioritetit anon nga lojtarët lokalë. Këta të fundit nuk ka diskutim që e kanë në plan të parë reformën zgjedhore dhe po inventojnë gjithçka për të. Kjo gjë nuk mund të thuhet për amerikanët, megjithë impenjimin e ambasadores Kim. Rëndësia që ka çështja në agjendë nuk dallohet gjithmonë nga harxhimi i energjive fizike në hapësirën publike. Fundja, kjo çështje u paraqit vetëm njëherë, për disa sekonda, në kohën televizive të sekretarit Pompeo.
Nëse mosqenia prioritet për amerikanët nuk është shpjegimi i humbjes së tyre të çuditshme përballë lojtarëve politikë shqiptarë, atëherë duhet ta kërkojmë shpjegimin te faktori i tretë i Bueno de Mesquitas, pozicioni. A janë amerikanët për një reformë zgjedhore si ajo e 5 qershorit, të cilën e mbështetën publikisht, apo, pavarësisht kësaj, pozicioni politik i tyre për vendosjen e demokracisë në vend, apo për siguri rajonale, apo për çfarëdolloj përfitimi tjetër që synojnë, është në fakt i ndryshëm nga ai i bërë publik?
Në mungesë të informacionit ne vetëm mund të ngremë pyetje. Sidoqoftë, alternativa është e qartë: loja e lojtarëve të vegjël shqiptarë po arrin t’i vërë në vështirësi amerikanët ose sepse këta nuk janë të impenjuar mjaftueshëm, duke mos e patur prioritet vendin tonë, ose sepse në fakt, dhe larg syve të publikut, po luhet një lojë tjetër. /Gazeta Liberale