Një grua në veri të Londrës thotë se, është habitur, kur pa se, dhjetëra turistë po vinin drejt shtëpisë së saj private pasi adresa ishte vendosur pa dijeninë e saj në Booking.com.
Sipas BBC, gjatë gjithë korrikut në shtëpinë Gillian (emri i të cilës nuk jepet i plotë) u paraqitën turistë nga Hong Kongu, Arabia Saudite dhe Los Anxhelosi.
Gillian tha për programin “You and Yours” të BBC Radio 4 se, më 4 korrik, ajo u befasua kur disa vizitorë të papritur mbërritën në shtëpinë e saj.
"Dikush trokiti në derën time. E hapa dhe ishte kjo grua e varfër, shumë e lodhur, me sa duket nga Hong Kongu. Vajza e saj qëndronte në fund të derës. Me qindra raste janë paraqitur në shtëpinë time. Dukej se vinin direkt nga aeroporti”, është shprehur ajo.
Asaj iu desh t'i largonte dhe i tha kompanisë Booking.com se, ky ishte një mashtrim.
“Është e qartë se ishte një mashtrim dhe dikush kishte përdorur adresën time. Më erdhi shumë keq për ata turistët që më trokitën në derë, por mu desh t’i largoja. Ndihem shumë e shqetësuar. Ndoshta ata janë njerëz shumë të mirë, por mund të ndodhte që një ditë në derën time të trokisnin njerëz agresivë. Ndihem shumë e cenuar”, ka thënë gruaja.
Ajo tregoi që kompania i tha se, shtëpia e saj tani ishte hequr plotësisht nga faqja.
"Ne mund të konfirmojmë se, kjo pronë është hequr plotësisht nga faqja jonë dhe të gjithë klientët po kontaktohen nga një anëtar i ekipit tonë të shërbimit ndaj klientit për të kërkuar falje dhe për të ofruar çdo mbështetje të kërkuar në lidhje me rimbursimet, zhvendosjet dhe tarifat shtesë, si dhe i kërkojmë ndjesë pronarit të shtëpisë”, tha kompania. /Përgatiti Liberale.al