Policia e Kosovës ka konfirmuar se duke filluar nga 22 nëntori, do të nisë vendosjen e gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe për qarkullim në Kosovë.
“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites”, ka thënë për Express zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Gjithashtu shtoi se Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjell zhvillimet e fundit, dhe në bazë të vlerësimeve ndërmerr masat e nevojshme.
“Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë këto zhvillime dhe në aspektin operacional bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerre masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, ka theksuar Kelani.