Në Prishtinë, drejtoresha e një çerdheje me emrin “Botanika” është vendosur në arrest shtëpiak, pasi dyshohet se ka keqpërdorur para publike. Sipas Prokurorisë, bashkë me një person tjetër, ajo dyshohet se ka përvetësuar mbi 100 mijë euro nga buxheti i komunës, gjatë kohës që ka qenë në detyrë si zyrtare në këtë institucion parashkollor.
Sipas hetimeve, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, në Insititucionin Parashkollor ‘’Botanika’’ në Komunën e Prishtinës, dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtar kanë përvetësuar mjete financiare që u janë besuar për shkak të pozitës që mbanin, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës në Prishtinë.
Andaj, me kërkesë të Prokurorit të rastit, ndaj njërës nga të pandehurat iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve me fondet publike, duke i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre rasteve në përputhje me ligjin.