Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite u vranë jashtë një muzeu hebre në qendër të Uashingtonit. Sipas policisë, autori i dyshuar bërtiti “Palestinë e lirë” pas sulmit.
Viktimat, një çift i ri, u qëlluan me armë zjarri ndërsa po largoheshin nga një aktivitet në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit, tha policia e DC, duke shtuar se incidenti duket se ishte i shënjestruar.
I dyshuari është ndaluar nga autoritetet. “Elias Rodriguez, 30 vjeç, nga Çikago, u pa duke ecur jashtë muzeut përpara se të hapte zjarr ndaj një grupi prej katër personash, duke vrarë çiftin”, tha Shefi Smith në një konferencë për shtyp.
Policia “nuk ka pasur asnjë ndërveprim të mëparshëm” me të dyshuarin, shtoi ai.
Ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, tha në konferencë se çifti i vrarë kishte planifikuar të fejohej.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se vrasjet ishin të nxitura nga antisemitizmi.
“Këto vrasje të tmerrshme në Uashington, të bazuara padyshim në antisemitizëm, duhet të marrin fund, TANI! Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA”, shkroi ai në platformën Truth Social.
Në një postim në X, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se “ne do t’i gjurmojmë ata që janë përgjegjës dhe do t’i nxjerrim para drejtësisë”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se siguria në ambasadat izraelite në të gjithë botën do të rritet pas të shtënave.
“Zemra ime dhemb për familjet e dy të rinjve, jeta e të cilëve u ndërpre nga një vrasës i tmerrshëm”, tha ai