Duke folur nga samiti i G7-ës në Kanada, Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz ka bërë disa deklarata të forta në lidhje me rolin e Izraelit në përballjen me regjimin iranian.
Në një intervistë për transmetuesin publik gjerman ZDF, Merz u shpreh se bota duhet të jetë mirënjohëse që Izraeli po merret me atë që e përshkroi si “punë të pisët” ndaj një regjimi që perceptohet gjerësisht si një nga faktorët më destabilizues në nivel global.
“Jam mirënjohës që e përdorët termin ‘punë e pisët’. Kjo është pikërisht ajo që po bën Izraeli. Punë të pisët, për të gjithë ne. Edhe ne prekemi nga ky regjim,” deklaroi Merz.
Në një deklaratë të mëhershme gjatë samitit, Kancelari Merz tha se udhëheqja iraniane është dobësuar ndjeshëm dhe mund të mos e rimarrë më kurrë fuqinë e mëparshme.
Komentet e tij pasqyrojnë një mbështetje të qartë për Izraelin, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen.